Dhuna ndaj Berishës, Meta: Rama kishte planifikuar që ngjarja të shkonte në drejtim tjetër

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se goditja e ish-kryeministrit Sali Berisha gjatë protestës ishte një skenar i mirëorganizuar nga kryeministri Edi Rama.

Sipas tij, kreu i qeverisë shqiptare kishte menduar se protesta do të agravonte në forma të tjera pas goditjes së liderit të opozitës.

Në një intervistë për emisionin “Kontrast”, Meta tha se e gjithë situata u menaxhua nga opozita, duke e dështuar planin e Ramës.

Meta: Nuk ka pasur asnjë ide për probleme nga opozita. Qeveria ka qenë e vetmja, që i ka fryrë idesë së provokimeve. Opozita ka vepruar në mënyrën më paqësore dhe demokratike. Kështu veproi gjatë gjithë manifestimit. Nuk kishte qëllim nga opozita për të krijuar një tension të tillë, ndërkohë që Tirana priste samitin. Si qytetarë europianë, shqetësimet i kishim ndaj qeverisë.

Ajo që ka ndodhur, padyshim që është një inskenim mafioz. Këtë e tregojnë rrethanat ku pas këtij agresioni u vendos në shërbim të krimit dhe alibive, një aparat i tërë propagandistik. Për fat të mirë, ai incident mbeti i izoluar. Të gjithë e kanë të qartë kush e ka fajin.

Pyetje: Çfarë interesi do kishte Rama që mund të çonte në atë që ndodhi? Nuk është se përfitonte nga kjo ngjarje.

Meta: Sigurisht që nuk ka ndodhur ajo që ka pritur Rama. Ka pritur variante të tjera, që u evituan nga menaxhimi i kujdesshëm i situatës nga opozita dhe Berisha. Ne e dimë shumë mirë që ngjarja mund të shkonte në drejtime të tjera, sipas asaj që do dëshironte Rama. Autori është vetëm një, Edi Rama, është porositësi i këtij atentati kundër Berishës. Gjuha e tij e dhunës dhe gjithë mjetet që ka pasur në dispozicion i ka përdorur për të goditur opozitën, pluralizmin politik. Ka treguar qartë se nuk i interesonte integrimi europian i vendit. Për të nuk është qëllim integrimi europian, dhe provokimi i opozitës. Ishte një skenar shumë i lexueshëm për ne dhe tashmë i dështuar.