U dekorua nga Rama, Ministria e Mbrojtjes cilëson “piroman” zjarrëfikësin hero

Një person është filmuar në një video teksa ndizte zjarre në zonën e Sazanit.

Ministria e Mbrojtjes e akuzon si zjarrvënës, ndërkohë që ai është zjarrfikës.

Ka qenë vetë zyra e shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes e cila ka shpërndarë një njoftim, në të cilin thuhet se policia ka nisur menjëherë hetimet për të zbuluar autorin apo autorët e kësaj zjarrvënnie që mori përmasa të mëdha.

Por në fakt ne pamje duket zjarrfikësi Luan Kapaj, i njohur për heroizmin e tij duke shpëtuar disa njerëz në rrënojat e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Sipas burimeve ai ishte duke ndezur një zjarr të kontrolluar.

Një djegie e kontrolluar është një zjarr i vendosur qëllimisht për të hapur breza dhe për të penguar zjarrin e madh që të shpërndahet në të gjithë zonën.

Kujtojmë se në dhjetor 2019 kryeministri Edi Rama i ka dhënë atij medaljen e artë të vlerësimit profesional zjarrfikësit të Vlorës, pasi mori pjesë në operacionet e kërkim shpëtimit për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat në Durrës pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit./albeu.com/