Kurti fton serbët të heqin barrikadat: Vuçiç i vetmi që do incidente

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin e tij se vendimi për reciprocitet për targat me Serbinë, është vendim i drejtë. Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti ka thënë sërish se oferta e Kosovës është që “le t’i heqim targat e përkohshme të dyja”.

Të hënën, Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë. Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa RKS t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi. Masa nxiti reagimin e serbëve që me vetura e kamionë kanë bllokuar qe tash e tre ditë rrugët në drejtim të pikave kufitare në Jarinjë e Bërnjak në veri. Policia e Kosovës me njësi të shtuara është duke qëndruar në këtë zonë.

“Vendimi për targat është i drejtë dhe garanton të drejtën e lëvizjes së lirë, përfshirë edhe qytetarëve serbë. Pengesat janë duke u bërë me disa kamionë pronë komunale dhe kjo është keqpërdorim i aseteve publike. Ftoj grupin e organizuar të qytetarëve serbë sepse ata kanë bllokuar veten e tyre dhe lëvizjen. Për incidente dhe eskalim s’kanë interes as qytetarët e as shteti ynë, s’kanë interes as serbët e Kosovës e as Serbia. Duket se interes ka vetëm një individ, presidenti i Serbisë. Ne jemi për dialog”, ka thënë ai. “Edhe oferta jone publike është tejet praktike, le t’i heqim tabelat e përkohshme edhe Serbia e dhe Kosova. Besoj që nuk është në interesin e Serbisë që të refuzojë dialogun dhe bisedimet siç po bëjnë aktualisht. Brukseli është vendi ku duhet të zhvillohen bisedimet dhe ne jemi të gatshëm e të hapur për të biseduar.”

Në gjashtëmujorin e formimit të Qeverisë Kurti, kryeministri ka folur edhe për situatën me pandeminë.

“Jemi në rrugë të duhur për ta realizuar planin e vaksinimit, madje edhe për ta tejkaluar atë. Gjendjen e rënduar që e gjetëm më 23 mars, arritëm ta vëmë nën kontroll brenda 100 ditësh dhe sollëm në zero numrin e vdekjeve. Në gusht vendi nuk u kursye nga Delta. Përgjigja ndaj këtij varianti tashmë e ka futur nën kontroll duke bërë që brenda 6 javësh numri i rasteve të bjerë. Masat e marra kane qenë të duhura e të drejta të cilat kanë dhënë rezultate”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se Kosova këtë muaj do të përgatitet për aplikim në fondet e IPA-s (Instrumentet e para-anëtarësimit në BE).


Shtuar 22.09.2021 11:33