Pendarovski: Idea e ndryshimit të kufijve, arkaike
Ideja për korrigjimin e kufijve apo shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë për presidentin e maqedonisë së Veriut Pendarovski, është e patolerueshme pasi sipas tij një vendim i tillë do të prodhonte gjithmonë probleme mes dy shteteve.

Pendarovski tha se institucionet e Kosovës dhe Serbisë duhet të fokusohen në krijimin e kushteve për bashkëjetesë e jo për ndarje.

Është e patolerueshme që të flitet për një ide të tmerrshme për shkëmbim të territoreve në shekullin 21. Herën e fundit një gjë e tillë ka ndodhur me mbështetjen e fuqive të mëdha para rreth një shekulli, në vitin 1923. Pyetni grekët dhe turqit se si edhe ditëve të sotme kanë pasoja nga shkëmbimi i territoreve.

Nuk mund as të mendoj se mund të ndodh diçka më e keqe, se sa dikush të mendojë seriozisht t’i qaset ekzekutimit të një projekti të tillë”-tha Stevo Pendarovski, president i Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ministrja e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska thotë se tensionet mes shteteve fqinje ndikojnë negativisht në të gjithë rajonin. Ajo tha se me anëtarësimin në NATO, vendi do të jetë e sigurt nga çfarë do lloj ndikimi nga jashtë.

Edhe ne por edhe i gjithë rajoni jemi të vetëdijshëm që cenimi e sigurisë tek fqinjët tanë gjithmonë ka pasoja negative. Në vend që të frikësohemi ne si shtet dhe si qeveri vendosëm që të marrim masa. Andaj në vitin 2017 fokusin tonë e vendosëm në anëtarësimin në NATO.

Që ta sigurojmë shtetin tonë dhe të kemi garancinë plotësuese të sigurisë edhe në rast të jo-stabilitetit rajonal”-pohoi Radmilla Sheqerinska, ministre e Mbrojtjes.

Këto komente Pendarovski e Sheqerinska i bënë gjatë takimit që presidenti pati në ministrinë e Mbrojtjes me ministren dhe Shefin e shtatmadhorisë së ARM-së. /alsat/
Shtuar më 31/05/2019, ora 16:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori