Përmbytjet tragjike në Libi, Begaj: Mendimet dhe lutjet tona janë me ta

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që po përjeton Libia, pas përmbytjeve masive, që kanë shkaktuar dhe viktima.

Begaj shprehu ngushëllime për familjet e viktimave, përmes një postimi në rrjete sociale

“Mendimet dhe lutjet tona janë me popullin e Libisë gjatë kësaj kohe të vështirë. I shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta familjeve që kanë humbur të dashurit për shkak të ndikimit shkatërrues të stuhisë Daniel në Libinë lindore”, shkruan kreu i shtetit.

Numri i të vdekurve nga përmbytjet në Libinë lindore mund të arrijë në mijëra, u tha gazetarëve të martën një zyrtar i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe.

“Numri i të vdekurve është masiv,” tha Tamer Ramadan, kreu i delegacionit të kësaj federate në Libi. Zoti Ramadan tha se agjencia konfirmoi nga burime të pavarura se 10,000 vetë rezultojnë të zhdukur.

Zyrtarët në Libinë lindore thanë të hënën se rreth 2,000 njerëz besohet të kenë vdekur në qytetin Derna. Zona u godit rëndë nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet nga stuhia mesdhetare Daniel, që shkaktoi çarjen e digave dhe zhdukjen e lagjeve të tëra.


Shtuar 13.09.2023 08:22