PDK: Shpend Ahmeti humbi mbi 100 milionë euro të prishtinasve
Pëlqej
Partia Demokratike e Kosovës, sot ka prezantuar humbjet e dhjetëra miliona eurove të qeverisjes së Shpend Ahmetit, për shkak të paaftësisë së tij, keqmenaxhimit dhe keqplanifikimit të buxhetit të Komunës së Prishtinës.

Asamblisti i PDK-së në Prishtinë, Muhamet Selmani, ka thënë se nëse analizohet buxheti i Komunës së Prishtinës, që ishte planifikuar në këto katër vjet, shihet se Shpend Ahmeti gjatë tërë kohës i ka shërbyer vetëm partisë së tij dhe jo qytetarëve të Prishtinës.

“Komuna e Prishtinës, për këto 4 vjet ka pasur në dispozicion një buxhet për 305.52 milionë euro, ndërsa ka arritur të realizojë vetëm 204.47 milionë euro, duke bërë kështu që kryeqyteti të mbetet pa 101 milionë investime kapitale dhe shërbime të tjera.

Nëse një kryetar komune dështon t’i realizojë 101 milionë euro investime që vetë i ka planifikuar, atëherë ky nuk ka sesi të quhet ndryshe përveçse një kryetar i dështuar, ku dembelisë së tij ia kanë parë sherrin gjithë qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Selmani.

Një qytetar i këtij vendi, sipas Selmanit, kurrë nuk do të lejonte që kryeqytetit tonë që ka nevojë për miliarda euro investime, t’i humbnin mbi 100 milionë euro.

Sipas tij, me miliona euro të buxhetit i kanë paguar bandat e tyre për ta shkatërruar dhe djegur Prishtinën. “Se ata që menaxhojnë me Shpend Ahmetin dhe qeverisjen në Prishtinë janë më të vërtetë të padijshëm dhe nuk ju ka interesuar fare qyteti dhe qytetarët, tregon edhe fakti tjetër që ata e kanë marrë qeverisjen e qytetit me një buxhet prej 80.78 milionë euro, kurse po e mbyllin me një buxhet prej 70.77 milionë euro”, ka thënë ai.

Mjetet e këtyre projekteve të parealizuara, sipas Selmanit, kanë shkuar në financimin e bandave të Vetëvendosjes dhe financimin e aktiviteteve të tyre kriminale.

“Po i përmendi vetëm disa prej projekteve kapitale, që këta i kanë filluar në vitin 2014 dhe për çdo vjet kanë ndarë mjete buxhetore, por që edhe pas 4 vjetëve ende asnjërin nuk e kanë përfunduar.

Për shembull, shkolla në Arbëri, shkolla në Kalabri, shkolla e muzikës “Prenk Jakova”, shkolla në Veternik, shkolla Mati-1, Qendra për Persona me Aftësi të Kufizuara, pishina gjysmë olimpike e qytetit, platoja mbi kurriz, rruga “Enver Maloku”, si dhe shumë projekte të tjera”, ka thënë ai. Selmani është marrë edhe me parkun afër palestrës “1 Tetori” dhe çerdhet, me të cilat mburret qeverisja e Shpend Ahmetit.

Ai ka thënë se parku afër palestrës “1 Tetori” nuk është financim i komunës, por financim i Helwetasit zviceran, kurse për çerdhe, komuna kishte planifikuar 1 milion euro në këto katër vjet, ndërsa i ka investuar vetëm 392 mijë euro.

Asamblisti i PDK-së ka prezantuar edhe një analizë të shpenzimeve të rritura të luksit, të cilat, gjatë tërë fushatës elektorale, duke iu referuar qeverisjes paraprake, Ahmeti i kishte kritikuar dhe ishte zotuar se do i minimizonte.

Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu dhe të tjerët, në buxhetin e çdo viti mashtruan qytetarët, duke prezantuar shifra të ulëta për këto shpenzime luksi, ndërsa në realitet shpenzimet ishin çdoherë mbi 100% të planifikimeve”, ka thënë ai.

Selmani ka thënë se humbjet milionëshe janë si pasojë e paaftësisë, menaxhimit dhe planifikimit të keq.

Shtuar më 13/08/2017, ora 16:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori