PDK nis me shpërndarjen e pyetësorëve
Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, ka nisur shpërndarjen e 50 mijë pyetësorëve me 10 pyetje, ku qytetarët do kenë mundësi të tregojnë për nevojat dhe problemet me të cilat ballafaqohen.

Gazeta “Express” shkruan se ndër pyetjet rreth problemeve të ndryshme të kryeqytetit, përfshihet edhe një pyetje që nuk ka lidhje me kryeqytetin, por me largimin e EULEX-it, nga Kosova. Kandidati i PDK-së për Prishtinën, Agim Çeku, thotë se nuk qëndron kurrfarë qëllimi në këtë pyetje, por është thjesht për të parë se ku është e fokusuar vëmendja e qytetarëve.

Ai thotë se pyetja nuk ka për qëllim të zbulojë se a janë dakord qytetarët që EULEX të vazhdojë të jetë i pranishëm në Kosovë. Ministri i FSK-së, që synon të marrë drejtimin e Prishtinës thotë se qëllimi i këtij pyetësori është që programin e tij ta ndërtojë bashkë me qytetarët. “Ky është thjesht një raport interaktiv me qytetarët, që qytetari të ketë ndikim në hartimin e programit tim, jo vetëm ekspertët e lëmive të ndryshme”, tha ai.

Në pyetësor përfshihen pyetje për problemet e ndryshme të qytetarëve, për sigurinë në rrugë, për papunësinë, për komunikacionin e stërngarkuar, për më shumë çerdhe e shkolla, për hapësira të gjelbëruara, e të tjera.
Shtuar më 01/10/2013, ora 16:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori