PDK i lë "fushë të lirë" familjes Jashari për komunën e Skënderajt
Partia Demokratike e Kosovës nuk do të garojë fare në zgjedhjet komunale në Skenderaj, pasi Bekim Jashari, pinjoll i familjes Jashari, ka bërë publike ambicien për ta drejtuar këtë qytet.

Gazeta merr vesh se kreu i PDK’së ka takuar sot gjatë ditës Bekim Jasharin, djalin e Hamëz Jasharit, të cilit ia ka ofruar mbështetjen e subjektit të tij.

Skenderaj është bastioni i PDK’së që prej se në Kosovën e pasluftës janë organizuar zgjedhjet. Bërthama e këtij subjekti është pikërisht në këtë komunë, prandaj edhe me lehtësi kanë triumfuar atje.

Kjo komunë është udhëhequr nga kryetarë të PDK’së Ramadan Gashi për gati 8 vjet, e më vonë, pas pavarësisë, nga Sami Lushataku, i cili qeverisjen me këtë komunë e kishte lënë vetëm gjatë viteve sa ka qëndruar në burg.

Por, pas vendimit të Bekim Jasharit, djalit të Hamzë Jasharit i cili mban pozitë të lartë në Aeroportin e Prishtinës, PDK ka vendosur të mos dalë fare me kandidat atje.

Gazeta Express shkruan se kreu i PDK’së Kadri Veseli ka takuar sot Bekim Jasharin të cilit ia ka konfirmuar mbështetjen e PDK’së.

Lajmi për kandidaturën e Bekimit ishte bërë publik mbrëmë në Facebook, nga dhëndri i Bekimit, Valon Loshaj, ndërkohë që ishte shpërndarë nga anëtarë të tjerë të familjes.

Sipas njoftimit Jashari e ka marrë këtë vendim për zhvillimin e qytetit me kërkesë të qytetarëve.

“Ditë të mira po e presin Komunën e Skenderajt, nën udhëheqjen e Bekim Hamëz Jasharit, i cili ka kapacitet intelektual, njerëzor dhe kombëtar’, thuhej në njoftim.
Shtuar më 22/08/2017, ora 13:58

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori