PDK fsheh milionat
Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, ka renditur listën e patundshmërive që i posedon në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), mirëpo të gjitha këto prona të vlefshme ai i ka vlerësuar me zero euro. Kështu një banesë prej 80 metra katrorë në Prishtinë, ai e ka vlerësuar me zero euro.

Një vit më parë Grabovci të gjitha patundshmëritë i kishte vlerësuar rreth 1.5 milionë euro, duke i renditur në mesin e zyrtarëve milionerë. Grabovci po ashtu kishte dhjetëfishuar pasurinë viteve të fundit, ndonëse ai edhe bashkëshortja e tij marrin paga nga buxheti i Kosovës. Edhe bashkëpartiakët tjerë të Grabovcit, përkatësisht deputetët Nuredin Lushtaku, Blerta Deliu, Elmi Reçica, kanë vepruar njësoj si Grabovci, duke i vlerësuar patundshmëritë me zero euro. Po ashtu, me zero i va vlerësuar edhe Safete Hadërgjonaj tri troje të trashëguara nga viti 1975.

Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se ky veprim i deputetëve të partisë më të madhe në vend është një përpjekje e tyre për ta arsyetuar pasurinë e paligjshme, kinse nuk janë bërë milionerë me paga të buxhetit të “cekët” të Kosovës, ndonëse pasuria e tyre në realitet është edhe më e lartë. Ata kërkojnë nga shefi i Antikorrupsionit, Hasan Preteni, që të marrë masa ndaj zyrtarëve, të cilët në një mënyrë të tillë janë munduar ta fshehin pasurinë. /albeu.com/
Shtuar më 03/06/2016, ora 09:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori