PDK-AKR, koalicion me shantazhe
Hashim Thaçi në konferencë shtypi
Behgjet Pacolli e ka lidhur fatin e qëndrimit në Qeveri me mënyrën se si do të privatizohet gjiganti metalurgjik “Trepça”. Për këtë e ka informuar edhe zyrtarisht kryeministrin Hashim Thaçi.

Disa muaj më parë, kur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, kishte provuar të kalonte në Qeveri një ligj për transformimin e pjesshëm të “Trepçës”, kryeministri i kishte thënë se duhej bërë disa konsultime shtesë.

Dhe, nuk ka pasur një herë të dytë për ta kaluar ligjin. Mënyra se si parashihte PDK-ja të bënte këtë transformim nuk është e njëjta me atë të AKR-së, subjekt politik që e drejton Pacolli, prandaj kalimi i ligjit do t’ia humbiste Thaçit partnerin kryesor të koalicionit.

Me anë të një shkrese, Pacolli më 20 qershor ia kishte thënë troç kryeministrit insistimin për “Trepçën”, e po kështu ia kishte shfaqur edhe kërcënimin.

“Lidhur me projektin e ‘Trepçës’ si rrjedhojë e takimit që kishim kohë më parë me Ekselencën e Tij, Princin e Kentit, me insistimin tuaj, ju kërkuat që unë të punoj këtë projekt dhe në këtë drejtim jemi duke punuar ende, mirëpo unë e shoh të pakuptimtë dhe jo korrekte, që paralelisht, pa informimin apo konsultimin tim, të tentohet të miratohet në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës një projektpropozim mbi ‘Trepçën’, që gjithsesi për ne mbetet i papranueshëm”, thuhet në shkresën e Pacollit, një kopje të së cilës e ka siguruar Koha Ditore.

“Z. Kryeministër, kërkoj mirëkuptim dhe bashkëpunim të ngushtë nga ju në këto nisma, rezultati i mirë i së cilës varet ekskluzivisht nga puna jonë e përbashkët në interes të qytetarëve të vendit, në të kundërtën ne nuk mund të lejojmë që të punojmë në mungesë të bashkëpunimit dhe qasjes proaktive, andaj si rrjedhojë do të detyrohemi të tërhiqemi nga angazhimet tona”.

Për këtë mënyrë shantazhi nuk kanë folur të premten në Zyrën e kryeministrit, ku ka zëvendës të Thaçit, edhe nga subjekti i tij e edhe nga ai që përfaqëson Pacolli. Megjithëkëtë, nuk e ka mohuar kurrkush shkresën e 20 qershorit dhe as formulimin e paragrafit ku vihet kushtëzimi.

Princi Michael e kishte vizituar Kosovën në 2010-n, bashkë me një delegacion biznesmenësh nga Britania. E kishin vizituar ndërmarrjen dhe kishin zbritur edhe në horizontin e 10-të të minierës. Aty ishte shprehur interesimi për të investuar. Por, ishte raportuar edhe diçka tjetër për këtë vizitë. Delegacioni kishte ardhur për të kërkuar hisenë e tyre në “Trepçë”, të cilën pretendojnë se e kishin eksploruar para një shekulli.

Bazuar në burime jozyrtare, ishte raportuar t’u jenë prezantuar autoriteteve kosovare tapi mbi pronësinë, me të cilat dëshmohej se që në vitet e 1920-a, ata e kanë zbuluar minierën e Stantërgut.

Në intervistën e fundit dhënë gazetës, Pacolli kishte thënë se trajtimi i “Trepçës” është i gabueshëm nëse ajo do të trajtohet nga Agjencia e Privatizimit, se “do të shitet ose stërshitet me një vlerë që tani është shumë e ulët”.
Shtuar më 05/11/2011, ora 09:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori