PDIU për deklaratën e Vuçiç: Kambanë alarmi! Qeveria të ndërpresë çdo marrëveshje me Serbinë
PDIU ka dënuar deklaratat e Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç i cili paralajmëronte një konflikt si ai mes Azerbajxhanit dhe Armenisë nëse dështonte dialogu mes palëve.

Nisur nga kjo, PDIU i ka bërë thirrje Qeverisë që të ndërpresë çdo akt nënshkrimi marrëveshjesh e traktatesh me Serbinë dhe ka kërkuar një tryezë të përbashkët për të gjithë faktorët politikë si dhe vënien në dijeni të instancave të BE-së dhe NATO-s për këto kërcënime.

“Ministria e Jashtme duhet të paraqesë urgjentisht notë proteste për deklaratën kërcënuese të presidentit serb. Shqiptarët do të jenë “Bashkë në një flamur” në çdo rast kur të kërcënohet apo të hapet një konflikt, që prek shqiptarët e Kosovës apo të Shqipërisë”, thuhet ndër të tjera në reagimin e PDIU.

E plotë

Ditën kur krerët e Kosovës ndodheshin në Hagë në një proces gjyqësor që nuk qëndron në asnjë argument juridik apo njerëzor, presidenti serb guxoi të kërcënonte Kosovën, Shqipërinë dhe gjithë rajonin me fantazmën e një konflikti të ri. Simbolika e përdorur prej tij, ai i një konflikti mes Azerbajxhanit dhe Armenisë ishte një këmbanë alarmi për të gjithë ata që kanë ende veshë të dëgjojnë. Në këto kushte PDIU i bën thirrje të gjitha segmenteve të shtetit shqiptar të fillojmë një proces institucional reagimi.

Ftojmë Presidentin e Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës të thërrasin tryezën e përbashkët të të gjithë faktorit politik shqiptar mbarëkombëtar për të reaguar së bashku, “Një komb, një qëndrim”

I bëjmë thirrje Qeverisë shqiptare të ndërpresë çdo akt nënshkrimi marrveshjesh e traktatesh me një shtet i cili kërcënon me luftë shqiptarët. Ditën më të vështirë për Kosovën pas luftës, ditën kur të gjithë krerët politikë të Kosovës ndodheshin në Hagë, Kryeministri shqiptar firmoste marrveshjen e minishengenit me Vuçiçin. Ky është një akt i cili nuk përmbush as vullnetin e as dëshirën e shqiptarëve, ndaj përgjegjësi i vetëm për këtë akt do jetë vetëm Edi Rama.

Shteti shqiptar nëpërmjet përfaqësuesve të tij duhet të bëjë më dije të gjitha instancat e BE dhe NATO-s për kërcënimet e presidentit serb. Ministria e Jashtme duhet të paraqesë urgjentisht notë proteste për deklaratën kërcënuese të presidentit serb.

Shqiptarët do të jenë “Bashkë në një flamur” në çdo rast kur të kërcënohet apo të hapet një konflikt, që prek shqiptarët e Kosovës apo të Shqipërisë.
Shtuar më 13/11/2020, ora 13:29

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori