Pavarësia e plotë po troket
Komisioni për Ndryshime Kushtetuese ka përfunduar punën e vet të martën sa i përket ndryshimit dhe miratimit të amendamenteve në pakon kushtetuese dhe ligjore duke i ka hapur rrugë sovranitetit të plotë të Kosovës.


Kryetari i Komisionit për Ndryshime Kushtetuese Arsim Bajrami, ka thënë se Komisioni e ka kryer punën e vet në drejtim të ndryshimit dhe votimit të amendamenteve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë. Ai ka thënë se me këtë veprim të Komisionit i është hapur rruga sovranitetit të plotë të vendit.

“Komisioni për Ndryshime Kushtetuese sot ka përfunduar punën në pakon kushtetuese dhe ligjore për përmbylljen e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. Ne njëzëri kemi votuar 22 amendamente me të cilat përmbyllet mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë dhe i hapet rruga sovranitetit të plotë Republikës së Kosovës. Kemi pasur vetëm një amendament të kontestuar nga Gjykata Kushtetuese, ajo për të drejtat e refugjatëve dhe jemi marrë vesh që ai amendament të spostohet në kaptinën për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut”, ka thënë ai.

Bajrami ka shtuar se kanë bërë amendamentin në propozimin e Qeverisë dhe kanë arritur një konsensus të plotë politik që ky ligj të procedohet në leximin e dytë, në mënyrë që ditën e premte të mbahet seanca ku do të miratohet projektligji për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë. /albeu.com/
Shtuar më 28/08/2012, ora 16:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori