Pavarësia e mbikëqyrur mbyllet këtë vit
Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar se mbikëqyrja e pavarësisë përmbyllet këtë vit në mënyrë të suksesshme dhe në këtë sukses rol vendimtar ka pasur puna efikase e Kuvendit, Qeverisë dhe të gjitha institucioneve tjera.


Duke folur për raportet Kuvend-Qeveri, ai ka theksuar se forcimi i rolit mbikëqyrës të Kuvendit është thelbësor dhe ndikon në forcimin e demokracisë në vend.

Thaçi këto komente i ka bërë në Konferencën për marrëdhëniet ndërmjet ekzekutivit dhe legjislativit të organizuar nga OSBE.

Ai ka deklaruar me këtë rast se duke pasur parasysh rregullimin e brendshëm të Republikës së Kosovës dhe ndarjen e qartë të pushteteve të legjislativit, ekzekutivit dhe të gjyqësorit funksionimi i këtyre institucioneve në përputhje me Kushtetutën përbën themelin e sistemit demokratik të shtetit të Kosovës.

“Në këtë aspekt forcimi i rolit mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës është thelbësor dhe ndikon në forcimin e demokracisë në Kosovë. Përmirëson punën e Qeverisë sa i përket performancës dhe siguron që si institucion i cili përfaqëson vullnetin e qytetarëve të vendit, të sigurohet se zëri dhe vullneti i qytetarëve tanë të respektohet”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, si parakusht themelor i ndërtimit të legjislacionit modern që i shërben funksionimi të demokracisë është bashkëpunimi i vazhdueshëm i Kuvendit dhe ekzekutivit në shërbim të interesit të qytetarit dhe të forcimit të shtetit demokratik dhe ligjor.

Në kuadër të shtetndërtimit të Kosovës, bashkëpunimi i ekzekutivit dhe kuvendit ka shërbyer në krijimin e kornizës ligjore të përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës dhe dispozitat e Planit të presidentit Ahtisaari.

“Përfundimi i mbikëqyrjes së pavarësisë përfundon këtë vit në mënyrë të suksesshme dhe në këtë sukses rol vendimtar ka pasur puna efikase e Kuvendit , Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucioneve tjera”, ka theksuar kryeministri.
Shtuar më 27/06/2012, ora 13:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori