Pas Halitit edhe Bekim Haxhiu nuk ka marrë ftesë për të dëshmuar ndaj Kurtit
Pëlqej
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka reaguar pas vendimit që gjyqtarit Beqir Kalludra i cili e gjobiti me 200 euro për shkak të mos paraqitjes në gjykatë në cilësinë e dëshmitarit ndaj Albin Kurtit për gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Haxhiu, me anë të një postimi në Facebook ka thënë se nuk ka pranuar asnjë ftesë, thirrje apo njoftim nga gjykata për këtë rast.

"Sot nëpërmjet medieve u njoftova se qenkam dëshmitar në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj deputetit Albin Kurti dhe se Gjykata Themelore në Prishtinë më paska shqiptuar masë ndëshkuese prej 200 Euro, në cilësinë e dëshmitarit për mos respektim të ftesës së Gjykatës.

Me përgjegjësi të lartë deklaroj se unë nuk kam pranuar asnjë ftesë, thirrje apo njoftim nga Gjykata Themelore e Prishtinës për rastin në fjalë. Sepse po ta pranoja një ftesë të tillë, sigurisht se do t’i përgjigjesha ftesës së Gjykatës.

Prandaj, kërkoj nga Gjykata të dëshmoj pranimin e ftesës nga ana ime dhe datën kur unë paskam marrë këtë ftesë për Gjykatë në cilësinë e dëshmitarit, sepse unë asnjëherë nuk kam pranuar një të tillë dhe si rrjedhojë nuk kam pasur si ta di se jam dëshmitarë në rastin e cekur sot nga Gjykata.

Po e shtroj vetëm një pyetje:

Pse Gjykatësi Kolludra ka shqiptuar dënimin prej 200 Euro, ndaj meje, Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit për mospjesëmarrje për të dëshmuar për këtë rast në gjykatë, por jo edhe ndaj deputetëve tjerë që kanë qenë në atë mbledhje të Kuvendit të Kosovës.

Gjykata duhet të respektoj Ligjin e Procedurës Penale dhe dispozita ligjore për thirrje të dëshmitarëve dhe për neglizhencë të saj, mos të tentoj të bëj balance me vendime gjyqësore, të cila duhet të jenë të drejta, të pa anshme dhe transparente", ka shkruar Haxhiu.

Kujtojmë se edhe deputeti tjetër i PDK-së, Xhavit Haliti, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të gjykatës duke thënë se gjyqtari duhet t'i kërkojë falje për gjobën pasi edhe ai nuk kishte marrë asnjë letërnjoftim nga gjykata për të dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit ndaj Albin Kurtit. /albeu.com/
Shtuar më 21/04/2017, ora 15:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori