Vritet kryebashkiaku në Zvicër, policia arreston gruan e tij, e dyshuara kryesore për ngjarjen e rëndë

Një person u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në Zvicër. Sipas mediave të huaja, bëhet fjalë për Martin Stäger i cili është kryebashkiaku i Lauterbrunnen.

Lajmin e konfirmoi zëvendësi i tij i cili u shpreh i tronditur nga ngjarja e ndodhur. Në momentin e mbërritjes së shërbimeve të urgjencës në shtëpinë e tij, 69 vjeçari kishte ndërruar jetë.

Policia supozon se e dyshuara kryesore është bashkëshortja e cila supozohet se i ka shkaktuar kryebashkiakut plagë fatale.

Ajo u arrestua disa orë më vonë në zonën e Lauterbrunnen pas një kontrolli, tha policia. Sipas njoftimit, 58-vjeçarja gjermane ndodhet në paraburgim. Policia nuk ka dhënë asnjë informacion të mëtejshëm për sfondin e krimit apo natyrën e plagëve. Po zhvillohen hetime të gjera.

69-vjeçari Martin Stäger ishte anëtar i SVP-së dhe u zgjodh kryetar i bashkisë së Lauterbrunnen në vjeshtën e vitit 2014. Ai ka lënë pas një djalë të rritur nga martesa e parë, siç raporton “Berner Zeitung”. Stäger ishte aktiv në klube të ndryshme, duke përfshirë edhe kryesimin e klubit lokal të skive. Ai gjithashtu shërbeu si kryetar i shoqatës tregtare.