Parajsë deri të dielën
Investim qindra-miliona eurosh. Dyfishim të rritjes ekonomike. Zona ekonomike në secilin qytetet të Kosovës. Rritje të pagave e të pensioneve.

Hapje të dhjetëra-mija vendeve të reja të punës. Këto janë disa prej premtimeve, me anë të të cilave partitë politike po ua premtojnë “parajsën” qytetarëve. Por kjo ëndërr e bukur pritet të përfundojë pas të dielës, meqë vlerësohet se shumë prej këtyre zotimeve janë krejtësisht të parealizueshme, shkruan gazeta "Zëri".

Premtimet megalomane janë bërë trend i subjekteve politike para çdo palë zgjedhjesh. Sikurse herëve të kaluara, edhe në fushatën e tanishme zgjedhore kandidatët e subjekteve politike për kryeministër të Republikës së Kosovës nuk janë duke u kursyer nga premtimet e mëdha, të cilat po konsiderohen të pambulueshme nga buxheti i shtetit.

Në mesin e këtyre zotimeve elektorale gjen vend edhe rritja ekonomike prej 6 deri në 9 për qind. Por përfaqësuesit e shoqërisë civile vlerësojnë se një gjë e tillë është e pamundur të realizohet.

Gjatë tetë ditëve të fushatës janë dhënë premtime edhe për krijimin e zonave ekonomike në secilin qytetet të Kosovës, si dhe investime prej qindra-miliona eurosh. Partitë deri më tash kanë premtuar rreth 20 fonde, në të cilin gjendet edhe Fondi për Punësim të Qëndrueshëm, i cili kap shifrën prej 200 milionë eurosh.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se një pjesë e konsiderueshme e këtyre premtimeve janë të parealizueshme. Rrjedhimisht ata thonë se pas të dielës, ditën kur mbahen zgjedhjet, çdo gjë do t’i kthehet realitetit dhe do të marrë fund “parajsa” e premtuar nga politikanët.
Shtuar më 03/10/2019, ora 09:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori