Pamje që t’i hap sytë
“Këto pamje, rrethanat si jetojnë ashkalinjtë në Fushë Kosovë, janë vërtetë pamje që t'i hapin sytë. Çështja e shkollimit të fëmijëve duket se qenka më komplekse se sa që kisha menduar", ka deklaruar për Info Globin, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff.

Rreth 50,000 Romë, Ashkali e Egjiptas (RAE) po ballafaqohen me sfida të shumta në jetën e tyre të përditshme. Në shoqërinë kosovare, ku mbi 40 për qind e popullsisë është e papunë dhe ku varfëria është e shtrirë kudo, pjesëtarët e komunitetit të ashkalinjëve që jetojnë në lagjen periferike në Fushë Kosovë jetojnë kryesisht me më pak se 2 dollarë në ditë.

Në këtë lagje, themeluesja e OJQ-së “Idetë për Partneritet” dhe ekipi i saj prej afro 60 vullnetarëve, ka identifikuar vjet rreth 100 fëmijë të moshës 9 e më shumë vjet që donin të vijojnë mësimin, mirëpo nuk u lejohet ta bëjnë një gjë të tillë pa mbaruar mësimin shtesë për të zënë hapin me ata që tanimë janë në shkollë. Kjo OJQ ka kohë që ka organizuar mësimin e tillë dhe falë kësaj brenda një viti nga 100 fëmijë rreth 62 tani janë në bankat shkollore.

Të shtunën edhepse ditë uikendi, krahas vullnetarëve vendorë e ndërkombëtarë që punonin me afro 75 fëmijë të këtij komuniteti, ‘shkollën’ e tyre joformale e ka vizituar edhe ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff. Kjo nuk është hera e parë që me vizitat e tij komuniteteve Cliff ka demonstruar në praktikë se çfarë do të thotë të jeshë lider, siç ka demonstruar përkushtimin e tij të jetë sa më afër njerëzve, shprehi kjo që u mungon shumë liderëve të vendeve ish komuniste, përfshirë këtu edhe Kosovën.

Ecja e gjatë nëpër rrugicat e pambajtura dhe në temperatura të ulëta, kur shumë kush do të dëshironte të gjej ca pushim në ambientin e ngrohtë familjar, pastaj bisedat plotë durim me njerëz të rëndomtë në rrugë apo në shtëpitë e tyre, tanimë sikur janë shndërruar në pamjet e zakonshme të diplomatëve ndërkombëtar që ndodhen në Kosovë. Nuk do mend ky është një mësim që shumë liderë vendorë kanë duhet ta përvetësojnë.

“Këto pamje, rrethanat si jetojnë ashkalinjtë në Fushë Kosovë, janë vërtetë pamje që t’i hapin sytë. Është komunitet më i madh sesa që kam menduar, kurse çshtja e shkollimit të fëmijëve duket se qenka më komplekse se sa që kisha menduar”, ka deklaruar për Info Globin, Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff.
Për bisedat dhe vizitat që zgjatën mbi katër orë , Cliff shprehet se “ato janë ndihmë që të kuptojë më shumë problemet me të cilat ballafaqohen pjesëtarët e komunitetit ashkali” dhe shton se të njëjtat i japin idenë “se çfarë duhet të flas me pushtetarët në Prishtinë por edhe me ata komunalë”.

Sipas z. Cliff përfshishmëria sociale është një çështje serioze për Bashkimin Europian. “Kjo është e rëndësisë së veçantë për Kosovën, sepse si shprehet ambasadori ” ne në vazhdimësi po themi se duam të krijojmë një shoqëri multietnike në Kosovë, ku të drejtat e minoriteteve respektohen, dhe kjo është diçka që shihet në përpjekjet që bëhen për komunitetin serbë, boshnjak e turk. Çështja e romëve, ashkalive dhe e egjiptasve është poashtu pjesë e saj”.

Cliff përkujton se këto komunitete kanë përfaqësuesit e tyre në Parlamentin e Kosovës dhe thekson se pas kësaj që ka parë sot, do të bisedojë me ta, raporton infoglobi.
Javën që mbeti pas, 27-shja e BE-së ka kaluar propozimin e Komisionit Europian që për Kosovën të bëhet studimi i fizibilitetit. Nga vlerësimet që do të jipen në këtë studim, do të varet shpejtësia e hapërimit të Kosovës drejtë BE-së.

Analistë të ndryshëm kanë theksuar shpesh herë edhe në të kaluarën, se vlerësimi i KE-së për pozitën e romëve, ashkalinjëve dhe të egjiptasve mund të përfundojë me notë negative, në rast se qeveria dhe pushtetet komunale anashkalojnë hallet me të cilat ballafaqohen këta kosovarë në jetën e tyre të përditshme.

“Nuk e duam një Kosovë ku dikush ndjehet i harruar. Këta fëmijë kanë nevojë për ndihmë, dhe kjo është ajo që me punë vullnetare po përpiqem ta bëj”, thotë Antigona Bytyqi, studente e administratës, e cila para ca ditësh i është bashkëngjitur ekipit të vullnetarëve të OJQ-së ‘Ideas Partnership’ .

Po përpiqemi që të sigurojmë shkollimin e fëmijëve. Vjet kemi identifikuar rreth 100 syresh të moshë 9 vjeçare e më lartë që kanë shprehur dëshirën të shkollohen, mirëpo politikat e ministrisë nuk lejojnë regjistrimin e fëmijëve mbi këtë moshë që të regjistrohen në shkollë, në rast se fëmijët nuk janë në gjendje të zënë hapin me ata që tanimë ndodhen në shkollë, thotë Elizabeth Gowing.

Sipas saj ” Komuna nuk ka organizuar mësime plotësuese që diçka e tillë të arrihet, prandaj ne i dolëm në ndihmë fëmijëve përmes organizimit të mësimit shtesëdhe lobuan që këto politika të ndryshojnë. Deri tani në banka shkollore janë regjistruar 62 fëmijë që kanë kaluar mësimin tek ne” shpjegon Gowing, ndërkohë që Aurelie Viard, drejtoresha ekzekutive e OJQ-së përshkruan aktivitetet e përditshme dhe programin shkollor joformal që kalojnë fëmijët .

“Këtu fëmijët mësojnë shkrim lexim, pastaj kanë orë të gjuhës angleze, artit, mësimin e punës me kompjuterë, etj” thotë Viard.
Por problemet me shkollimin nuk janë problemi i vetëm që e ndjejnë banorët e këtushëm.

” Çdo ditë punoj. Mbledhë shishet e plastikës dhe kanaçet, të cilat më pas i shes për 4 euro. Veç kësaj kam 80 euro assistencë sociale mujore. Nuk mjaftojnë për ti përmbushur nevojat e familjes 11 anëtarëshe, por nuk kemi çka bëjmë” shpjegon Ridvan Bajraktari, baba i 9 fëmijëve. Sipas tij banorët kanë vërejtje se shërbimet komunale nuk janë në nivel. “Punonjësit komunalë sikur e kanë harruar lagjen tonë. Mbeturinat janë kudo dhe nuk largohen rregullisht. Ka rrezik të shpërthejë ndonjë epidemi”, thotë ai.

Politikanet kosovar, si ata të pozitës ashtu edhe ata të opozitës duket se janë të zënë me “çështjet madhore”, thekson njëra nga banoret e lagjës. “Vetëm ndërkombëtarët na vizitojnë, dhe me një rast më duket se na ka vizituar Zëvendësministri i Arsimit”, ankohet ajo dhe kritikon establishmentin institucional që nuk po tregojnë më shumë kujdes dhe që nuk po japin sinjale që do të zgjojnë shpresat se banorët e këtushëm do të kenë një jetë më të mirë në të ardhmen e afërt.

Sentiment i ngjashëm, sado që nuk thuhet, ndihet edhe brenda asaj që quhet shtëpi e familjes 8 anëtarëshe Krasniqi. Një dhomë, gjysma e dyshemesë e të cilës është ende qull nga bora e shkrirë që ka depërtuar brenda, është hapsira ku banon Agron Krasniqi, bashkëshortja e tij Hatmania dhe gjashtë fëmijët e tyre. Edhepse temperaturat janë të ulëta, stufa është e fikur, kurse në afërsi nuk vërehet të ketë drunj.

Hatmania është njëra nga pesë gratë e lagjes që po përpiqet t’i jap shqelmin varfërisë duke prodhuar sapunë, aktivitet ky që është pjesë e projektit të inicuar poashtu nga Elizabeth Gowing dhe ekipi i saj.
“Kemi shitur 2000 copë për tre muaj, por ato pak mjete që mori secila nga ne, përfshirë gratë që përkujdesen për qepjen e qeseve për sapunë, sërish nuk mjaftojnë për shkollimin e fëmijëve” , thotë Hatmania.
Shtuar më 04/03/2012, ora 10:37

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori