Pakoja e Ahtisaarit nuk hapet
Kryeministri Hashim Thaçi ka pritur të martën anëtaren e Parlamentit Evropian, Doris Pack, me të cilën ka biseduar për aktualitetin politik në Kosovë, me fokus për përkushtimet e Qeverisë për vendosjen e plotë të sundimit të rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës, njofton Zëri.

Duke shprehur vendosmërinë e plotë për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, veçanërisht në pjesën veriore të vendit, kryeministri Thaçi në takimin me Pack, “hodhi poshtë zërat për kinse Ahtisaari Plus”, njofton Zyra e Kryeministrit.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Pakoja e Presidentit Ahtisaari garantojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, gjithashtu ofrojnë standardet më të larta në Evropë për garantimin afirmativ të të drejtave të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, u shpreh Thaçi dhe ritheksoi se Pakoja e Ahtisaarit nuk do të hapet dhe as nuk do të ndryshohet.

Anëtarja e Parlamentit Evropian, Doris Pack, ndërkaq, siç thuhet më tej në komunikatë, vlerësoi lartë përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e plotë të sundimit të rendit dhe ligjit në pjesën veriore të Kosovës.

“Veriu është pjesë e pandashme e Kosovës. Barrikadat janë formë jodemokratike e protestës, pasi ato mohojnë të drejtën themelore të lirisë së lëvizjes”, theksoi Pack dhe shtoi se Pakoja e Ahtisaarit shërben si një platformë e cila garanton dhe ofron të drejtat më afirmative për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.
Shtuar më 01/11/2011, ora 17:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori