Pagat politike, 3 milion euro
Edhe më tej një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të shtetit, vazhdon të shpenzohet për paga politike dhe luks të qeveritarëve.
Duke filluar nga kryeministri, kryetari Kuvendit, por edhe të gjitha ministritë, kanë të angazhuar staf politik, të cilët marrin paga, por edhe shfrytëzojnë për mallra dhe shërbime paratë e taksapagueseve kosovarë.

Për vitin 2012, sipas projektligjit të buxhetit të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se kabineti i kryeministrit Hashim Thaçi, ka të angazhuar hiq më pak se 65 punëtorë.

Vetëm për pagat e tyre për vitin 2012, Qeveria ka ndarë 530 mijë euro, ku paga mesatare e secilit punëtor që punon në kryeministri del të jetë rreth 700 euro në muaj.

Po ashtu, për vitin që vjen zyrës së kryeministrit Thaçi, ia janë ndarë edhe 670 mijë euro për mallra dhe shërbime.

Edhe zyra e presidentes Atifete Jahjaga, për vitin që vjen ka të angazhuar 82 punëtorë. Vetëm për paga kabinetit të presidentes janë ndarë 482.300. Ndërkaq, për mallra dhe shpenzime hiq më pakë se 930 mijë euro.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, vetëm në zyrën e tij ka të angazhuar 29 punëtorë, të cilët janë të identifikuar si staf politik.

Për paga të tyre Qeveria ka ndarë 339 mijë euro, ku paga mesatare e secilit punëtor del të jetë rreth 1000 euro. Po ashtu, për këta punëtorë politikë Qeveria ka paraparë të ndajë 33 mijë euro për mallra dhe shërbime.

Edhe ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, në kabinetin e tij gjatë vitit 2012, do të ketë 8 punëtorë. Vetëm për pagat e tyre, Qeveria ka ndarë 81 mijë euro paga. Ndërkaq, për mallra dhe shpenzime 40 mijë euro euro.

Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, po ashtu në kabinetin e saj do të ketë 8 punëtorë, ku vetëm për paga u janë ndarë 81 mijë euro, ndërkaq për mallra dhe shpenzime 90 mijë euro. Bërë një përllogaritje del se secili punëtor i ministrisë që drejton Kusari-Lila, brenda një viti vetëm për mallra dhe shërbime ka në dispozicion më shumë se 11 mijë.

Po ashtu, edhe kabineti i ministrit të Bujqësisë, Blerand Stavileci, do të ketë 11 punëtorë. Vetëm për paga të tyre Qeveria ka ndarë 124 mijë euro, ku del se paga mesatare e punëtorëve që punojnë në kabinetin e ministrit është rreth 1000 euro.

Gjithashtu, kabinetit të ministrit vetëm për mallra dhe shërbime janë ndarë 75 mijë euro.

Kabinetit të ministrit të Administrimit Publik i janë ndarë rreth 111 mijë euro për 10 punëtorë, ndërkaq për mallra dhe shërbime janë ndarë 45 mijë euro.

Po ashtu, ministri i Financave Bedri Hamza, në kabinetin e tij të ngushtë do të ketë 7 punëtorë, ndërkaq për paga të tyre janë ndarë 70 mijë euro, ndërkaq për mallra dhe shërbime 53 mijë euro.

Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, në kabinetin e tij do të ketë 9 punëtorë, ku për pagat e tyre për vitin 2012, do të ketë në dispozicion 87 mijë euro, ndërkaq për mallra dhe shërbime 60 mijë euro.

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në kabinetin e tij për vitin 2012, do të ketë 10 punëtorë, ku për paga të tyre janë ndarë 80 euro.

Kabineti i ministrit të Forcës së Sigurisë,Agim Çeku. do të ketë 9 punëtorë, ku për paga të tyre janë ndarë 120 mijë euro.

Kabineti i ministres së Integrimeve, Vlora Çitaku, do të ketë 11 punëtorë, ku për paga do të ketë 112 mijë euro, ndërkaq për mallra dhe shërbime 129 mijë euro.

Po ashtu, kabineti i ngushtë i ministrit të Diasporës do të ketë 11 punëtorë, ku për paga të tyre do të shpenzohen 105 mijë euro, i ministrit të Punës 8 punëtorë, ku për paga do të eanë 78 mijë euro, ministrit të Mjedisit 8 punëtorë, ku për paga do të kenë 67 mijë euro, ministrit të Kthimit 9 punëtorë, ku për paga i janë ndarë 97 mijë euro.

Po ashtu edhe kabineti i ministrit të Arsimit, Ramë Buja, do të ketë 9 punëtorë, ku për paga të tyre do të shpenzohen 98 mijë ero, si dhe i ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi, do të ketë 11 punëtorë, ku për paga i janë ndarë 95 mijë euro.

Shtuar më 02/11/2011, ora 09:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori