Pacolli i shqetësuar: Liberalizimi i vizave mbetet problem real
Zëvendës-kryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli ka deklaruar se përshpejtimi i procesit të liberalizimit të vizave për kosovarët është i një rëndësie të veçantë, nëpërmjet të cilit do të krijoheshin mundësi të reja për të gjithë qytetarët e vendit, sidomos për të rinjtë.

Ai gjatë takimit me drejtoreshën e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, Angelina Eichhorst ka shprehur përkushtimin e Institucioneve për përmbushjen sa më të shpejtë të kritereve për liberalizimin e vizave.

Në takim është diskutuar mbi zhvillimet e gjithmbarshme politike si në nivelin e brendshëm ashtu edhe atë të jashtëm dhe në veçanti në lidhje me raportet e Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian.

Përkitazi me këtë është vlerësuar si jashtëzakonisht e rëndësishme avancimi i mëtejmë i marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Pacolli ka shprehur përkushtimin e Republikës së Kosovës për të ecur drejt integrimeve euro-atlantike, duke shpresuar në vazhdimin e përkrahjes nga ana e Bashkimit Evropian.

“Agjenda jonë mbetet e palëkundur drejt integrimeve evropiane. Megjithëkëtë, liberalizimi i vizave mbetet një problem real. Vetëm përmes lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës do të jetë shans të përmirësim të imazhit të vendit dhe hapjes së perspektivës dhe mundësive të reja”, ka thënë Pacolli. /albeu.com/
Shtuar më 14/09/2017, ora 17:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori