OVLUÇK: Po goditet lufta e UÇK-së
Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës reaguan të enjten ndaj arrestimit të ish ushtarëve të UÇK-së, duke thënë se persekutimi i vazhdueshëm i luftëtarëve të lirisë nga EULEX-i, në fakt ka argumentuar se këta kanë vetëm një detyrë në Kosovë, njollosjen e luftës çlirimtare të kombit shqiptar në krye me UÇK-në.

Sipas tyre, tentimi i vazhdueshëm i tyre për të goditur bartësit e luftës çlirimtare, nxjerr përfituese Serbinë dhe bashkëpunëtorët e saj të shumtë në Kosovë.

“Tentimi i vazhdueshëm i tyre për të goditur bartësit e luftës çlirimtare, nxjerr përfituese Serbinë dhe bashkëpunëtorët e saj të shumtë në Kosovë. Për këtë arsye, ne kemi argumente të besojmë që strukturat e Serbisë në Kosovë: disa nga mediat që botohen në gjuhën shqipe, segmente e grupe të caktuara aktive në politikë si dhe individë të tjerë që fshihen në petkun e intelektualizmit janë mobilizuar në luftën e ashpër kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër gjakut të mijëra dëshmorëve dhe kundër të gjithë luftëtarëve: nga komandanti e deri te ushtari i zakonshëm. Në këtë përpjekje të tyre të pandalshme, kanë përkrahjen e plotë të EULEX-it, si dhe elementeve të tjerë proserb të diplomacisë evropiane të instaluar në Kosovë”, thuhet në reagimin e OVLUÇK-së, shkruan RTK.

Sipas tyre, rasti i sotëm ku akuzohen Sahit Jashari, Sami Lushtaku, Jahir Demaku, Zeqir Demaku e Hysni Thaçi, që të gjithë luftëtarë të hershëm dhe bashkëluftëtarë të Komandantit Legjendar Adem Jashari, njerëz që kontribuuan në luftë dhe në paqe, tregon se Serbia përmes mekanizmave të saj, po tenton të godas luftën e UÇK-së që në bërthamat e saj të para, në mënyrë që të arrihet një qëllim, baltosja e të gjitha figurave emblematike të UÇK-së, baltosja e dëshmorëve të kombit dhe luftëtarëve të gjallë. /albeu.com/
Shtuar më 23/05/2013, ora 16:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori