OVL e UÇK-së paralajmërojnë sërish protesta për lirimin e menjëhershëm të Sylejman Selimit
Organizata e Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Gjeneral Sylejman Selimit, sepse janë të sigurt në pafajësinë e tij.

Ata kanë thënë se durimit të tyre në këtë “drejtësi” i ka ardhur fundi, andaj në fillim të javës do të njoftojnë për mënyrën dhe formën e protestave, ndoshta edhe të demonstratave gjithë popullore në mbrojtje të së drejtës për Gjeneralin dhe vlerave të luftës.

OVL e UÇK-së përmes një komunikate ka njoftuar se është duke analizuar dhe përcjellë situatën aspak të mirë që po behët kundër vlerave të Luftës së lavdishme çlirimtare dhe pjesëtarëve të saj, madje këto padrejtësi po i behën nga vet e ashtuquajtura “drejtësi” dhe nga individ të caktuar shqipfolës, të cilët me apo pa qellim po i kontribuojnë politikës fashiste të Serbisë.

“Rasti i fundit i mbajtjes në burg, pa vendim të prerë dhe pa bazë juridike të Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së, TMK-së e FSK-së, Gjeneral Sylejman Selimit është kulmi i marrëzive të kësaj “drejtësie” dhe i të gjithë atyre institucioneve dhe institucionalistëve që i kanë futur veshët n’lesh e po heshtin para kësaj padrejtësie që po i behët Gjeneral Selimit. Është parë dhe tani më është e kuptueshme për secilin qytetar së Gjeneral Sylejman Selimi po mbahet padrejtësisht në burg, madje për mbajtjen e tij në burg nuk ka asnjë bazë juridike, sepse në të dyja rastet ku Gjeneral Selimi ka qenë i akuzuar, është shpallur i pafajshëm, si në rastin “Drenica 1” dhe “Drenica 2”.

Ky proces është kryekëput politik. Prandaj sistemi i “drejtësisë” ndaj tij është hiq më pak së politik, i padrejtë, injorues, aspak profesional dhe degradues për vet sistemin. Këtë e vërteton publikisht dhe botërisht avok ati i tij Tomë Gashi, avokatët tjerë të rastit dhe shumë njerëz profesionistë të vet sistemit të drejtësisë! Ne si Organizatë e Veteranëve të Luftës të UÇK-së, bashkëluftëtarët e tij, shokët e luftës e të paqes, ushtarët e denjë të atdheut, njerëzit e mirë e të drejtë kërkojmë lirimin e menjëhershëm të Gjeneral Sylejman Selimit, sepse jemi të sigurt në pafajësinë e tij, dhe, nga padrejtësitë e mëdha që po bëhen ndaj tij dhe luftëtarëve tjerë të lirisë, besimit dhe durimit tonë në këtë “drejtësi” i erdhi fundi”, thuhet në komunikatë.

Sipas OVL e UÇK-së, në fillim të javës do të njoftojnë për mënyrën dhe formën e protestave, ndoshta edhe të demonstratave gjithëpopullore në mbrojtje të së drejtës për Gjeneralin dhe vlerave të luftës.
Shtuar më 03/11/2018, ora 15:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori