Pasuri e ardhur nga trafiku i drogës, sekuestrohen pasuritë me vlerë 10 mln € të Ndue Gjergjit

Policia e Tiranës njoftoi mesditën e së premtes se ka sekuestruar pasuri të paluajtshme me vlerë rreth 10 milionë euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale, trafiku i drogës.

Pasuria është në pronësi të Ndue (Paulin) Gjergjit dhe të familjarëve të tij. Biznesmeni u vra në qershor të 2020, së bashku me një biznesmen tjetër, nga një grup personash të maskuar me uniforma policie në qytetin e Laçit.

Pasuritë e sekuestruara janë; 11 garazhe, 18 apartamente, 1 truall, 2 njësi, 1 vilë, licencë për transport udhëtarësh, 3 shoqëri aksionere, 1 kazino dhe 9 automjete.

Nga veprimet hetimore, policia thotë se dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale, pasi Gjergji ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve.

Njoftimi policise

Vijon puna për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive që e kanë burimin nga aktivitetet kriminale. Finalizohet operacioni policor i koduar “Përfitimi”.

Sekuestrohen pasuri të paluajtshme, me vlerë rreth 10 milionë euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale.

Në kuadër të procedimit penal për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, referuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurifiksionit të Përgjithshëm Tiranë, u zhvillua operacioni policor i koduar “Përfitimi”.

Në zbatim të këtij procedimi, u bë ekzekutimi i vendimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vendosjen e sekuestros preventive ndaj pasurive të paluajtshme në ngarkim të shtetasit P.(N). Gj. dhe të familjarëve të tij.

Në zbatim të këtij vendimi, u bë sekuestrimi i pasurive të paluajtshme, vlera e të cilave arrin rreth 10 milionë euro, konkretisht:

•11 garazhe, 18 apartamente, 1 truall, 2 njësi, 1 vilë, licencë për transport udhëtarësh, 3 shoqëri aksionere, 1 kazino dhe 9 automjete.

Nga veprimet hetimore dyshohet se pasuritë e sekuestruara e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të kryera nga shtetasi P.(N). Gj. i cili ka qenë i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve./albeu.com/


Shtuar 28.07.2023 12:02