Osmani: Ndërkombëtarët duhet të refuzojnë përpjekjet për zgjidhje mbi ndarje etnike dhe ndryshimit të kufijve
Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook ka thënë se komuniteti ndërkombëtar duhet t'i refuzojë përpjekjet e individëve të caktuar për të shtyrë përpara çfarëdo propozimi për zgjidhje mbi bazën e ndarjeve etnike dhe të ndryshimit të kufijve.

Sipas saj në thelb kjo do të ishte edhe kundër vlerave të Bashkimit Evropian dhe nuk siguron paqe të qëndrueshme në rajon

“Rreth deklaratave për ndryshim të kufijve. E çmoj lart angazhimin e miqve tanë ndërkombëtarë në lehtësimin e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Por, Bashkimi Evropian nuk mund të shërbejë thjeshtë si forum ku bëhet dialogu, por duhet doemos të ofrojë edhe udhëzime që bazohen në parimet e vlerat mbi të cilat funksionon BE. Ndryshimi i kufijve mbi baza etnike nuk bënë pjesë në këto parime e vlera”, ka shkruar Osmani.

Ajo tutje ka shkruar se Kosova është Republikë parlamentare.

“Kuvendi ka rol vendimtar në mbikëqyrjen e punës së Qeverisë, Politikës së Jashtme dhe atë të Sigurisë. Rrjedhimisht, do të ketë rol të rëndësishëm në përmbylljen e një marrëveshjeje të tillë eventuale. Andaj, çdo përpjekje dhe angazhim për marrëveshje përfundimtare duhet të afirmojë edhe jetësimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Çdo pikënisje në rifillimin e dialogut në të ardhmen, duhet të bëhet mbi parimet se Kosova është projekt i pakthyeshëm në aspektin politik dhe i paprekshëm në aspektin territorial”, ka shkruar ajo.

Tutje Osmani shton se Kosova është njohur nga shumica e anëtarëve të Bashkimit Evropiane dhe vendeve tjera të botës dhe e drejta për të shpallur pavarësinë është vulosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Kosova është e palëkundur në orientimin strategjik për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas saj shteti ynë është ndërtuar dhe duhet të vazhdojë të zhvillohet pikërisht mbi bazën e vlerave që i proklamon dhe i ka jetësuar Bashkimi Evropian.

“Prandaj, komuniteti ndërkombëtar duhet t'i refuzojë përpjekjet e individëve të caktuar për të shtyrë përpara çfarëdo propozimi për zgjidhje mbi bazën e ndarjeve etnike dhe të ndryshimit të kufijve, sepse në thelb kjo do të ishte edhe kundër vlerave të Bashkimit Evropian dhe nuk siguron paqe të qëndrueshme në rajon. Mbi të gjitha, zgjidhje të tilla nuk do të përkraheshin nga qytetarët tanë e rrjedhimisht do të mbeteshin të pazbatueshme. Historia na mëson se zgjidhjet e idetë pa mbështetje qytetare përfundojnë me dështim”, ka shkruar Osmani.
Shtuar më 05/05/2020, ora 21:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori