Kryetari i
Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup
Krasniqi, në krye të një delegacioni parlamentar, në kuadër të vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, është pritur sot nga kryetarja e Lordëve të Parlamentit
Britanik, Baronesha D'Souza, si dhe nga personalitete e deputetë të tjerë.
Duke e falënderuar Baroneshën D'Souza për mikpritjen,
kryetari Krasniqi shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e gjithanshme që Britania e Madhe i ka dhënë Kosovës. Ai e njoftoi baroneshën për punën e
Kuvendit të Kosovës, strukturën e tij dhe për objektivat që ai ka para vetes, si dhe bëri një përshkrim të zhvillimeve aktuale në vend.
Kryetari i
Kuvendit theksoi se Kosova, me mbështetjen ndërkombëtare, ka vendosur një rend të ri demokratik.
Baronesha D'Souza u interesua për rekomandimet që dalin nga Raporti i Studimit të Fizibilitetit, për zbatimin e Planit të Ahtisarit, reformat kushtetuese dhe zgjedhore, për proceset integruese të Kosovës etj.
Kryetari Krasniqi e njoftoi atë për proceset në të cilat ndodhet Kosova aktualisht, në kuadër të integrimeve evropiane, për Raportin e Studimit të Fizibilitetit dhe detyrat që dalin nga ai, veçanërisht për Kuvendin e Kosovës, në fushën e legjislacionit.
"Orientim strategjik i Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO", tha kryeparlamentari
Krasniqi.
Gjatë ditës së sotme,
kryetari Krasniqi dhe delegacioni që ai udhëheq, është takuar edhe me deputetë të tjerë, anëtarë të të dy dhomave të parlamentit
britanik, ndërsa gjatë orëve të pasdites do të takohet me kryetarin e Grupit
Britanik në Unionin Ndër-parlamentar, Robert Walter dhe zyrtarë të tjerë të legjislativit
britanik.
Kryeparlamentari
Krasniqi po qëndron në Mbretërinë e Bashkuar, me ftesë të
kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve,
kryetarit të Lordëve të Parlamentit
Britanik dhe
kryetarit të Grupit
Britanik në Unionin Ndër-parlamentar, ndërsa shoqërohet nga nënkryetari i
Kuvendit, Glauk Konjufca dhe deputetët: Zenun Pajaziti, Vjosa Osmani dhe Jasmina Zhivkoviq.
Shtuar më 29/10/2012,
ora 16:34