Mega operacioni "Volvo 4", 27 të arrestuar, 6 nuk janë kapur
Opozita lejon fjalimin e Fischerit dhe seancën për MSA-në
Pëlqej
Opozita do të marrë pjesë në seancën parlamentare në të cilën deputetëve të Kuvendit të Kosovës do t'iu drejtohet presidenti austriak, Heinz Fischer. Tre liderët e partive opozitare, VV-AAK-NISMA, janë pajtuar që deputetët e tyre të shkojnë në këtë seancë, edhe pse prej disa javësh e kanë bllokuar punën në Kuvend.

Po jo vetëm këtë seancë opozita do të krijojë kushte për të funksionuar kuvendi normalisht. Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj në takimin, të cilin e kanë mbajtur të mërkurën në mesditë, kanë konfirmuar se VV, AAK dhe NISMA nuk do ta bllokojnë as seancën e ratifikimit të projektligjit për MSA-në.

"Liderët e Opozitës sot kanë pasur një takim ku megjithë rezervat e shprehura për MSA-në, se ajo nuk është e plotë, se ka mundur të negociohej më mirë dhe gjëra të tjera, është konfirmuar se Opozita nuk do ta bllokojë procesin e votimit për ratifikimin e projektligjit për MSA-në”, ka treguar për Gazetën Express, zëdhënësi i AAK’së, Muharrem Nitaj.

Nitaj, ka konfirmuar edhe pjesëmarrjen e deputetëve opozitarë në seancën e nesërme ku presidenti austriak i drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

"Nuk ka pasur asnjë kundërshti që Presidenti i Austrisë t’i drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përkundrazi kjo është vlerësuar të jetë nder për Parlamentin", ka thënë ai.

Seanca në fjalë është paraparë të mbahet të enjten në ora 09:30.

Por, këto veprime të opiztës, sipas tij, nuk japin asnjë sinjal se opozita ka filluar të ndryshojë qëndrim sa iu përket marrëveshjeve ndërkombëtare për Asosacionin serb dhe demarkacion me Malin e Zi.

"Ky është një qëndrim parimor i Opozitës dhe nuk e ndryshon pozicionin e saj për marrëveshjet e Demarkacionit dhe Asociacionit, dhe kërkojmë nga shumica parlamentare që të mos provojë që në emër të gatishmërisë sonë për të mos bllokuar ratifikimin e MSA-së, të kontrabandojnë tema të tjera në të njëjtën mbledhje. Në një situatë të tillë, përgjegjësia do të ishte e pozitës", ka thënë Nitaj për Gazetëmn Express. /albeu.com/
Shtuar më 28/10/2015, ora 15:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori