Me fiksime? Ish-truproja tregon për rregullat e çuditshme që vendoste Kanye West

Ish-truproja e Kanye West tregoi së fundmi për disa nga “rregullat qesharake” që duhet të ndiqte teksa punonte me reperin. Në një podcast me Hollywood Raw (via Cosmopolitan), Steve Stanulis tregoi se Kanye dëshironte që truproja të qëndronte dhjetë hapa larg tij. Duke marrë parasysh që qëllimi i truprojës është të të mbrojë nga çdo sulm i mundshëm, qëndrimi, të paktën sipas Stanulis, dhjetë hapa larg është i çuditshëm.

“Pra, padyshim që nëse dikush do të donte të bënte diçka, sa të vrapoja unë që ta ndaloja, me gjasë do të kish ndodhur,” tha ai.

Stanulis tregoi edhe një episod në ashensor:

“Dita e parë kur u takuam ishte gjatë Javës së Modës. Duhet ta takoja në studio. Shkojmë dhe futemi në ashensor. Më tha: ‘Nuk do ta shtypësh butonin?”. Ishte dita ime e parë e punës, si supozohet ta dija ku duhet të shkonte?! ‘Pra po më thua që nuk ke pyetur dikë më parë që ta dish ku po shkojmë?!’ më tha [Kanye].”

Në vijim, Steve tregoi vazhdimin e bisedës, e cila mund të duket shumë gjëra, përveçse e vërtetë, por sidoqoftë nuk kemi si ta vërtetojmë.

“Unë i thashë që mund të veprojmë në 3 mënyra. Një, mund të më thoni se cilin buton të shtyp. Dy, mund ta shtypni ju butonin që unë ta di për herën tjetër. Tre, mund të uleni këtu gjithë ditën dhe të më thoni sa të rëndësishme e keni kohën dhe të mos bëjmë asgjë. Zgjodhi alternativën e parë.”

Në një tjetër pretendim – të pabazuar – Stanulis tha se Kanye dhe Kim i njoftojnë vetë paparacët. Ndryshe nga deklarata e mësipërme, kjo është më e besueshme. (Kujtoni Kylie-n)

“Para së gjithash, nuk ka asnjë shans që paparacët të mos njoftohen paraprakisht. Është e pamundur që sa herë ne largohemi diku, ata njerëz e dinë gjithmonë. Padyshim që dikush i telefonon. Ky është mendimi im. Nuk mund të jetë rastësi që janë kudo ku ne shkojmë. Janë gjithmonë atje. Ose ata njerëz janë më të zotë nga çfarë mendoj unë.”

Ish-truproja mund të jetë duke mashtruar, por gjithsesi s’do të habiteshim nëse faktet janë të vërteta, sepse sado të çuditshme të jenë, hey ai është Kanye West.


Shtuar 15.05.2020 06:48