OJQ-të kundër pakos Ligjore Antikorrupsion
Forumi Këshillues i OJQ-ve për pakon Ligjore Antikorrupsion ka zhvilluar disa takime konsultative, ku është analizuar përmbajtja e projektligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepra penale.


Forumi pas analizave e sheh të arsyeshme të kontestojë edhe më tutje projektligjin e miratuar nga Qeveria. Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurive të fituara me anë te veprave penale. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka thënë se rekomandimet e shoqërisë civile janë marrë parasysh dhe janë inkorporuar në projekt-ligj.

“Sqarojmë opinionin publik se rekomandimet që Forumi i 10 OJQ-ve i ka paraqitur kohë më parë, nuk janë marrë parasyshë dhe se ky projektligj është hartuar në kundërshtim me rekomandimet tona.”, thuhet në reagimin e Forumit Këshillues të OJQ-ve.

Dispozitat kryesore që përmban ky projektligj janë të rregulluara me legjislacionin e zbatueshëm në Kosovë (Kodin Penal të Kosovës). Duke u bazuar në këtë fakt, Forumi ka nxjerrë këto rekomandime:

1.Duhet ndryshuar emri i draft-ligjit, i cili në të njejtën kohë reflekton në fushëveprimin dhe qëllimin e këtij draft-ligji. Forumi rekomandon që kualifikimi “pasuritë e fituara me kryerjen e veprës penale”, të ndryshohet me “pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme” (edhe për rastet kur nuk ka të bëjë me vepër penale).

2.Pasuria e përfituar në mënyrë të paligjshme të vërtetohet nga i dyshuari, e jo sipas detyrës zyrtare. Me bartjen e barrës së provës tek të dyshuarit, do të rritej mundësia e luftimit më efikas të krimit të organizuar dhe pasurisë së paligjshme. Një përvojë e tillë çfarë rekomandon Forumi paraqitet edhe në shtetet e rajonit, si Shqipëria, Sllovenia e Bullgaria.

3.Ky draft-ligj do të duhej të zbatohej edhe për pasuritë e fituara në mënyrë të paligjshme të personave të dyshuar, të krijuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, pra të lejohej retroaktiviteti tij.

4.Sygjerohet krijimi i mekanizmave të vaçanta brenda institucioneve ekzistuese (polici, prokurori, gjykata) me qëllim të zbatimit më efikas të legjislacionit të kësaj fushe.

Në komunikatën e Forumit Këshillues të OJQ-ve tërhiqet vemendja e se nëse ky ligj kalon si i tillë sikurse është sot, nuk ndihmon në luftimin e krimit të organizuar dhe konfiskimin e pasurive të fitura në mënyrë të kundërligjshme.

“Në një formë të tillë, ky ligj do të amnistojë të gjithë personat që pas lufte e tutje kanë krijuar pasuri milionëshe nga asgjë. Pra, ky projektligj më tepër shihet si legalizim i pasurive të paligjshme të krijuara deri me tani nga persona të caktuar, sidomos të nivelit të lartë politik, se sa e kundërta”, thuhet në reagim.

Forumi Këshillues i bën thirrje Kuvendit të Kosovës, përkatësisht Komisionit për Legjeslacion që të jetë i hapur dhe të pranojë inkorporimin e këtyre rekomandimeve në këtë projekt-ligj, në mënyrë që të ndertojmë një ligj që do të jetë i implementueshëm dhe i efektshëm në rregullimin e kësaj fushe, e cila së bashku me korrupsionin po e shkatërrojnë shoqërinë kosovare. /albeu.com/
Shtuar më 09/08/2012, ora 13:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori