Ofendimet e Daçiç në takimin me përfaqësuesit e Preshevës
Ofendimet e Daçiç në drejtim të ministres për integrime evropiane të Kosovës, Vlora Çitaku në takimin e djeshëm me liderët e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, është një nga arsyet që ky takim ka dal pothuajse jashtë kontrollit.

Daçiç ka thënë se kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ende nuk duhet ta vizitojë Luginën e Preshevës, edhe pse me të ka arritur marrëveshje në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi gjatë 17 takimeve që kanë pasur në Bruksel.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Jonuz Musliu ka zbuluar për "Zërin" disa detaje të takimit ku ai thotë se shefi i qeverisë serbe e ka humbur kontrollin duke ofenduar zyrtaren kosovare dhe duke u kërcënuar.

Sipas Musliut, në një moment të takimit, Daçiq ka thënë: “Nuk isha unë në Beograd kur ka ardhur ajo e bukura nga Kosova për vizitë, se me siguri do të kishte kaluar më mirë”.

Daçiq i është referuar vizitës së ministres për integrime evropiane, Vlora Çitaku e cila në muajin qershor u bë e para zyrtare e lartë kosovare që e ka vizituar kryeqytetin serb.

Me të dëgjuar këto fjalë ka reaguar ish- lideri politik i UÇPMB-së, Jonuz Musliu, i cili ishte pjesë e delegacionit. Musliu ka treguar përmes telefonit se i ka thënë Daçiqit që “ju nuk jeni Don Zhuan që të flisni në këtë mënyrë ngase Don Zhuana ka Kosova plot”.

“Pasi që reagova në këtë mënyrë, Daçiç më kërcënoi”, ka thënë Musliu. Tensionet janë shtuar edhe më shumë kur liderët shqiptarë kanë kërkuar me ngulm zgjidhjen e statusit të shqiptarëve të Luginës.

“Ai nisi të përdorë gjuhë që ka qenë karakteristikë e kohës së Slobodan Milosheviqit, por unë i thashë që edhe pse ai mund të më arrestojë, unë nuk i frikësohem”, ka thënë Musliu.

Galip Beqiri, kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar gjithashtu e ka konfirmuar se takimi ishte tejet i tensionuar, ndërsa gjithçka ka nisur me ofendimet ndaj ministres për integrime evropiane.

Takimi i së enjtes ka pasur për qëllim që qeveria e Beogradit të njihet me problemet me të cilat përballet popullata shqiptare e Luginës së Preshevës. Liderët shqiptarë atje kanë shkuar me shtatë kërkesa, në mesin e të cilave përmirësimi i kushteve për arsim, liria e lëvizjes dhe përmirësimi i kushteve ekonomike. /Albeu.com/
Shtuar më 11/10/2013, ora 13:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori