Objektet gjysmake qeveritare po përdoren për qefet e të dashuruarëve
Institucionet e Kosovës po vazhdojnë të ndajnë para për ndërtimin e objekteve që do të shfrytëzohen për nevojat e zyrtarëve të lartë të shtetit. Tashmë janë ndarë mjete për nismën e tretë që planifikohet të ndërtohet “Kompleksi Qeveritar” në Hajvali, kurse e papërfunduar mbeti që 15 vjet Qendra Administrativo Protokollare në parkun e Gërmisë, ndërsa edhe pse u ndanë para “Qendra Protokollare” në Blinaj të Lipjanit mbeti vetëm në letër.
Kanë kaluar më shumë se 15 vite që prej kohës, kur u vu gurthemeli për ndërtimin e Qendrës Administrativo Protokollare në parkun e Gërmisë.

Projekti ideor i qendrës ishte pranuar më 3 qershor të vitit 2004, kurse fillimi i punimeve të këtij projekti kishte filluar më 18 mars të vitit 2005.

Ndonëse po bëhen gati dy dekada qyshkur filloi ndërtimi i kësaj qendre, as sot e kësaj dite ky objekt nuk ka përfunduar së ndërtuari dhe nuk është funksional.

Qendra protokollare e paraparë të ndërtohej para 15 vitesh në Gërmi, për deputetët dhe zyrtarët e lartë të shtetit, nga ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci tani shfrytëzohet si hapësirë për seks e konsumim të drogës.

Hapësirat e dedikuara për dhoma gjumi për deputetët e aktivitete rekreative janë përplot shiringa e pajisje të përdorura nga narkomanët. Hapësira e braktisur ku janë investuar afro 2 milionë euro nga taksat e qytetarëve, është kthyer në një zonë tepër të rrezikshme.

Meqenëse ekziston vendimi i Kryesisë për vazhdimin e punimeve nga viti në vit, në projekt buxhet ndahet edhe linja buxhetore për ndërtimin e kësaj qendre të cilat shpenzohen në linja të tjera.

Por, se kur do të përfundojë ndërtimi i kësaj qendre nuk e din askush.

E ndonëse ende nuk ka përfunduar ndërtimi i kësaj qendre në Gërmi, tash Qeveria e Kosovës po planifikon të ndërtojë një “Kompleksin Qeveritar” në Hajvali.

Qeveria ka paraparë që këtë vit të investojë 150 mijë euro në kompleksin e ri qeveritar në Hajvali. Ndërsa, për ndërtimin e ndërtesës përcjellëse të AKI-së, do të investojë 600 mijë euro.

Qeveria me të hyra të ATK-së, do të investojë edhe 500 mijë eurondërtimin e ndërtesës për zyrën e Presidencës.

Kurse, për ndërtimin e objektit të ATK-Dogana në Prishtinë, nga të hyrat e ATK-së, është paraparë të investohen 800 mijë euro.

Krejt këto janë paraparë në ligjin e buxhetit, i cili është miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Në Kompleksin Rilindja, vlerësimi i kompleksit Rilindja dhe renovimi i anekseve B,C dhe D, është paraparë një investim prej 10,754 euro. Ndërsa, për renovimin e objekteve qeveritare është paraparë të investohen 400 mijë euro, shkruan FaktePlus.

Gjatë vitit 2018 Qeveria e Kosovës kishte ndarë 1 milion euro për ndërtimin e një “Qendra Protokollare” në Lipjan, më saktësisht në rezervatin e gjuetisë “Blinaja”.

Së paku kështu thuhej në Projektligjin për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018.

“Në projektet kapitale për nivelin qendror parashihet projekti Blinaja, në vlerë prej 1 milion euro”, thuhej në projektligj.

Përpos qendrës protokollare, Qeveria kishte paraparë ndërtimin edhe të dy vilave të tipit rezidencial.

“Rezervati “Blinaja”, në të cilin parashihet të ndërtohet Qendra Protokollare, ekskluzivisht për nevojat e Qeverisë së Republikës së Kosovës është në kuadër të kompleksit ndërtimor, ku janë paraparë të ndërtohen aktualisht edhe dy vila të tipit rezidencial, të përcjella me elemente të domosdoshme për shfrytëzuesit e mundshëm sikurse janë: strehimoret përcjellëse, Qendra Energjetike dhe Logjistike e elemente të ngjashme”, kështu thuhej në projektligj.

Ndërtimi i kësaj qendre dhe vilave rezidenciale nuk ka nisur fare gjatë vitit të kaluar.


Shtuar më 25/02/2019, ora 13:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori