Nxirren katër trupat e parë nga varreza masive në Rashkë
Ka filluar zhvarrosja e trupave nga varreza masive e Rashkës në Serbi. Fillimi i nxjerrjes së trupave ka sjellë shpresë tek shumë familje kosovare të cilat nuk dinë se ku prehen familjarët e tyre që pas masakrave gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili për 5 ditë ka qenë në Rashkë të Serbisë, thotë se deri tani janë nxjerrë katër kufomat e para.

Sipas Gërxhaliut, aktualisht nuk mund të flitet për numrin e saktë të kufomave që mund të jenë në këtë varrezë masive, por bazuar edhe në deklaratën e zyrtarit serb Bruno Vekaric para tre vitesh në këtë varrezë pritet të zhvarrosen rreth 250 apo më shumë mbetje mortore të viktimave të cilët janë hedhur aty nga ushtria dhe policia serbe.

"Me gjetjen e mbetjeve të para mortore, ne faktikisht e vërtetuam edhe informatën e dëshmitarëve se mbetjet mortore gjenden në ndërtesën e ndërtuar pas luftës.
Kështu, ne vetëm 80 centimetra prej murit skajor të saj i kemi dërguar eskavatorët, ku menjëherë janë nxjerr katër kufomat e para. Kjo do të thotë se ne fillimisht do të jemi në pjesën skajore dhe presim që edhe në thellësinë e ndërtesës të ketë akoma më shumë. Meqenëse u gjetën mbetjet mortore, kjo kalon në duart e prokurorit për krimet e luftës, dhe javën e ardhshme pritet të mbahet edhe një takim me strukturat e EULEX-it dhe zyrtarët serbë për të parë se cilët do të jenë hapat e mëtejeshëm", ka daklaruar Gërxhaliu. /albeeu.com/
Shtuar më 15/12/2013, ora 15:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori