Thatësira më e madhe në 1000 vite, SHBA nis reduktimin e ujit

Disa shtete të SHBA-së dhe Meksika do të detyrohen të reduktojnë konsumin e ujit për të shmangur efektet “katastrofike” në  lumin Kolorado, pasi po rajoni përballet me një thatësirë ​​të paprecedentë, shkruan The Guardian.

Pas më shumë se dy dekadash reshjesh të reduktuara, niveli i ujit të  lumit Kolorado  – jetik për shtetet perëndimore të SHBA-së ka  rënë në një nivel alarmues. Ciklet e thatësirës po përkeqësohen për shkak të ndryshimeve klimatike.

Pavarësisht paralajmërimeve prej vitesh, shtetet që varen nga lumi nuk e kanë ulur mjaftueshëm konsumin e ujit, duke bërë që autoritetet federale të vendosin kufizime ditën e djeshme. Arizona, deri në vitin 2023 do të reduktojnë ujin me 21%,  Nevada  me 8% dhe Meksika me 7%.

Kalifornia, e cila është më e varur nga uji i lumit Kolorado dhe është shteti më i populluar në SHBA, nuk do të preket vitin e ardhshëm nga këto reduktime. Në të njëjtën kohë, janë marrë masa në nivel lokal edhe në qytetet që  marrin ujin nga lumi, si për shembull në Los  Angeles  ku u vendosën kufizime për ujitjen e kopshteve.

Lumi  Kolorado  e ka burimin në Malet Shkëmbore dhe rrjedh nëpër  Kolorado, Utah, Arizona, Nevada , Kaliforni dhe Meksikën veriore ku më pas derdhet në det.

Lumi ushqehet kryesisht nga bora që grumbullohet në lartësi të mëdha gjatë dimrit dhe shkrihet gradualisht në muajt e ngrohtë. Por për shkak të ndryshimeve klimatike, reshjet janë ulur dhe bora po shkrihet më shpejt, duke ulur vëllimin e ujit në lumë, i cili furnizon miliona njerëz.

Shtetet perëndimore të SHBA po përballen me vitin e 23-të të thatësirës, ​​më e madhja në më shumë se 1000 vite. Thatësira shton edhe intensitetin e zjarreve në pyje, të cilat po bëhen gjithnjë e më shkatërruese.