60 vjetori i lindjes së Azem Hajdarit, Berisha: Sot je më i gjallë se kurrë!

Ish-kryeministri, Sali Berisha, përkujtoi sot 60-vjetorin e lindjes së Azem Hajdarit.

Me këtë rast në selinë e PD-së u zhvillua një aktivitet në nder të “Heroit të Demokracisë”, Azem Hajdarit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se Azem Hajdari është më i gjallë se kurrë dhe si ai është njeriu i cili kontribuoi më shumë se kushdo në përmbysjen e diktaturës komuniste, ndërrimin e sistemeve dhe ndërrimin e epokave në Shqipëri.

“Sot ne jemi mbledhur këtu për të festuar 60-vjetorin e ditëlindjes së Azem Hajdarit, njërit prej figurave më të shquara në historinë e lirisë së shqiptarëve. Njërit prej tribunëve të lirisë të kombit tonë. Njeriut që me guximin e tij, ia doli të kontribuojë më shumë se kushdo tjetër, në përmbysjen e diktaturës komuniste, ndërrimin e sistemeve, ndërrimin e epokave në Shqipëri. Ditën që e përcollëm në banesën e fundit, nuk vajtuam dhe brohoritëm: Azem, ti je gjallë! Ne jemi sot këtu për t’i thënë Azem Hajdarit se sot je më i gjallë se kurrë”, tha Berisha./AlbEu.com/