Numërohen 91 % e votave në Kosovë, Ramush Haradinaj drejt Kryeministrisë
Nga 91 për qind e votave të numëruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe partisë Nisma ka fituar 34.6 për qind të votave.

Pasohet nga Lëvizja Vetëvendosje me 26.7 për qind, kurse koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa me 25.8 për qind të votave. Lista Serbe ka fituar mbi 5 për qind të votave.

Dalja e votuesve në zgjedhje sipas të dhënave të KQZ-së ka qenë mbi 750 mijë apo rreth 42 për qind qytetarë, derisa të drejtë vote kanë pasur mbi 1 milion e 872 mijë.

Procesi zgjedhor është vlerësuar nga KQZ dhe nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim, se ka shkuar pa ndonjë parregullsi, që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve.

Zgjedhjet në Kosovë janë vëzhguar nga më shumë se 29 mijë vëzhgues nga partitë politike, organizatat joqeveritare, nga Bashkimi Evropian si dhe ambasadat e akredituara në Prishtinë.
Shtuar më 12/06/2017, ora 09:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori