Nuk vjen dot në Tiranë, Thaçi përshëndet vizitën e Papës
Pëlqej
Kryeministrit në largim i është pamundësuar pjesëmarrja në pritjen e Papës pasi Vatikani ka hedhur poshtë mundësinë që edhe Hashim Thaçi të jetë pjesë e agjendës së takimeve zyrtare të Papa Françeskut me autoritetet në Tiranë.

"E përshëndes vizitën historike të Papës Françesku në Shqipëri dhe të shpreh mirënjohjen për faktin që ai zgjodhi ta bëj vizitën e tij të parë në Tiranë. Vizita e tij nxjerr në pah modelin unik të bashkëjetesës fetare të shqiptarëve, i cili duhet të shërbejë si shembull për gjithë botën. Kjo ngjarje dëshmon gjithashtu përcaktimin e popullit tonë për t'u orientuar strategjikisht drejt Perëndimit. Me këtë rast i dërgoj urimet më të perzemërta të gjithë besimtarëve të krishterë, që nesër do ta kenë mysafir në shtëpitë e tyre liderin e tyre shpirtëror", ka shkruar Thaçi në Facebok.

Express ka raportuar para një jave se Kryeministri në largim Hashim Thaçi kishte kërkuar nga autoritetet e Shqipërisë që gjatë vizitës së Papa Françeskut në Tiranë, më 21 shtator, t’i mundësohet që të jetë pjesë e agjendës zyrtare të takimeve me prijësin katolik, por Vatikani ka hedhur poshtë një mundësi të tillë.

"Thaçi ka kërkuar mbrëmë që të jetë pjesë e takimeve që Papa do bëjë në Tiranë. Zyrtarisht është kontaktuar Vatikani dhe nuk ka pranuar që ai të jetë pjesë", kanë bërë të ditur burime të Gazetës.

Kryeministri Thaçi vitin e kaluar kishte marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Papës së ri, ndërkohë që zyra e tij kishte njoftuar se ai ishte pritur në audiencë private nga Papa Françesku. /albeu.com/
Shtuar më 20/09/2014, ora 13:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori