Ndërroi jetë "heroi" i tyre, Argjentina vjen me vendimin e madh
"Nuk keni parë gjë akoma", 3 zhvillimet që brenda 24 orëve ia kthyen përmbys deklaratën Hotit
“Nuk keni parë gjë akoma”. Një deklaratë e tillë e kryeministrit Hoti e thënë dje në një konferencë për media zgjoi kurreshtjen e shumë njerëzve, për veprimet që do të ndërmarrin institucionet e drejtësisë kundër krimit e korrupsionit. Ndonëse u aludua në arrestime të reja dhe veprime tjera, pak orë më pas ndodhën disa ngjarje që nuk i shkuan fort për shtati kësaj fjalie të kryeministrit.

Tash e një kohë, fjala “korrupsion” sipas kryeministrit Hoti ishte larguar nga diskursi publik. Sipas Hotit, kjo ka ndodhur pikërisht për shkak të veprimeve që kanë ndërmarrë institucionet e sigurisë, përfshirë ministrinë e Punëve të Brendshme që udhëhiqet nga LDK, shkruan lajmi.net.

Madje, Hoti ngjau dje me homologun e tij shqiptar, Edi Rama, kur e tha një fjali të cilën ky i fundit e përmendte shumë shpesh. “Nuk keni parë gjë akoma”, tha Hoti duke aluduar në veprime tjera për kthim të ligjshmërisë në Kosovë.

“Unë ju garantoj që jemi të vendosur që të kthejmë ligjshmërinë. Nuk keni parë gjë akoma për kthimin e ligjshmërisë”, tha kryeministri teksa arsyetoi edhe veprimin e qeverisë për shuarjen e Departamentit Special Anti-Korrupsion.

“Nuk keni parë gjë akoma”, a po paralajmëron Hoti shkarkime tjera në institucione?



Por çka ndodhi pas “nuk keni parë gjë akoma”?

1 . Reagimi i ashpër i Gjermanisë për shuarjen e departamentit special anti-korrupsion.

Pak orë pasi që Hoti u arsyetua për një vendim të qeverisë së tij për shuarjen e departamentit special anti-korrupsion, atij i erdhi një reagim shumë i ashpër nga Gjermania.

Kjo e fundit, me anë të ambasadorit në Kosovë, Jorn Rode, tha se ky veprim i qeverisë, e vë në dyshim vullnetin politik për ta luftuar korrupsionin.

“Fatkeqësisht vendimi i qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task Forcës Anti-Korrupsion, ngritë shqetësime të mëdha për vullnetin politik për trajtimin efektiv të çështjeve korruptive”, shkroi ai.

Për këtë, Hoti nuk tha asgjë, ani pse në deklaratat e tij publike, dhe në pasqyrimin e rezultateve të udhëheqjes së qeverisë, ai mburrej disa herë se ka shërbyer si rregullator për marrëdhëniet e Kosovës me aleatët.



2. Skandali i vjedhjes së dy milionë eurove nga thesari i shtetit.

Dy milionë euro u vodhën nga buxheti i shtetit, e u transferuan në llogarinë e një kompanie private.

Thesari i shtetit të Kosovës u dëmtua për dy milionë e 77 mijë euro. Këto mjete, u transferuan nga buxheti i shtetit në llogarinë e një kompanie private me seli në Llapushnik.

Për këtë rast, janë suspenduar dy zyrtarë të thesarit, teksa njëri prej tyre është arrestuar.

Në arrati janë ndërkaq dy pronarët e kompanisë “LDA” Group SH.P.K, së cilës iu transferuan jashtëligjshëm këto mjete.

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami tha sot se ky rast ndërlidhet me një sulm kibernetik në të cilin janë vjedhur fjalëkalime dhe janë kryer transferet.

Për të arrestuarin, zyrtar i Thesarit të Kosovës, është caktuar paraburgim prej 30 ditësh.

Lexo edhe:

Si ndodhi vjedhja dhe kush tërhoqi paratë nga thesari, emrat e të dyshuarve



3. Vjedhja e kasafortës në AUV.

Edhe në orët e mëngjesit të sotëm, Policisë i doli punë me hajnat që grabitën në një institucion publik.

Në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, hajnat grabitën kasafortën në të cilën ende nuk dihet se çka kishte.

Rasti ndodhi mbrëmë pas mesnatës, por në polici u raportua tek sot në mëngjes.

Për këtë ngjarje dhanë detaje edhe nga AUV-i.

“Pra gjatë natës së kaluar ka ndodhur një hyrje e paautorizuar. Thuhet se kanë hyrë nga ana e prapme dhe s”mund të themi më tepër se çdo hetim i policisë atëherë mund të ndikojmë më tepër. Nuk mundem me dhënë ndonjë informatë që për shkak se është nën hetim të policisë kështu që s’mundeni me thënë asgjë”, thanë nga AUV para mediave.

Në lidhje me këtë rast ndërkaq për lajmi.net kanë folur edhe nga Policia e Kosovës.

“Me datë 22.10.2020. në ora 08:05, ne Policinë e Kosovës është raportuar se në nje objekt në Fushë Kosovë është kryer një vjedhje. Njesitet kompetente policore kane dal ne vendin e ngjarjes dhe jane duke kryer hetime per rastin”, thanë nga Policia.

Ndërkaq hetimet po vazhdojnë priten edhe detaje më të zgjeruara nga Policia e Kosovës.
Shtuar më 22/10/2020, ora 19:11

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori