Nuk kanë nisur përgatitjet për bisedime me Serbinë
Pëlqej
Prishtina
Kosova nuk ka nisur fare përgatitjet për dialog me Serbinë, ka thënë zëvendëskryeministri në largim i Kosovës, Hajredin Kuçi. Mirëpo, ka qëndrime të ndryshme të bartësve institucional rreth përgatitjeve për dialog me Serbinë.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme në largim Vlora Çitaku, në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në New York tha se ka filluar përgatitjet për dialog teknik me Serbinë.

“Qeveria e Kosovës tashmë ka nisur përgatitjet për bisedime të çështjeve teknike”, ka thënë ajo.

Mirëpo, zëvendëskryeministri Kuçi ka thënë për gazetën Koha Ditore se Kosova megjithatë mbetet ende në pozicionin e deklaruar edhe më herët sa u përket përgatitjeve për bisedime.

“Jemi në atë pozicion që kemi qenë edhe më herët. Bisedimet fillojnë pas zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë e pas konsolidimit të Qeverisë”, ka thënë Kuçi.

Ai edhe njëherë i ka përmendur çështjet për të cilat pala kosovare është e gatshme që të ofrojë bashkëpunimin e saj. “Me Serbinë mund të bisedohet çështja e personave të pagjetur, çështja e regjistrave kadastralë, transportit, bashkëpunimit ekonomik, njoftimi i dukurive të ndryshme ndërkufitare e kështu”, ka thënë ai.

Kuçi ka mohuar kategorikisht se Prishtina ka për të biseduar ndonjëherë me Beogradin për tema politike.

Ndërkohë Krenar Gashi, nga KIPRED-i konsideron se realisht bisedimet me Serbinë, tanimë ekzistojnë dhe janë duke u zhvilluar për një kohë të gjatë.

“Kosova dhe Serbia janë duke biseduar që një kohë të gjatë mes vete çështjen e të pagjeturve”, ka thënë Gashi. Ai ka vlerësuar se institucionet e Kosovës nuk do të duhej dhe nuk mund të bëjnë ndonjë përgatitje për dialog, “për shkak se atyre realisht u ka skaduar mandati”.

Deklarimin e zëvendësministres në Këshill të OKB-s, Gashi e sheh më tepër si retorikë që është dashur të përdoret atje.
Shtuar më 15/11/2010, ora 11:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori