SHBA-ja, Japonia dhe Koreja e J. zotohen për përgjigje të përbashkët ndaj Koresë së V.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe liderët e Japonisë dhe Koresë së Jugut u zotuan më 13 nëntor për përgjigje të unifikuar dhe të koordinuar ndaj kërcënimit që paraqesin programet bërthamore dhe të raketave balistike të Koresë së Veriut. Biden tha se ky partneritet është “edhe më i rëndësishëm se kurrë më parë”, pasi që Koreja e Veriut po rrit provokimet.

Biden u takua ndaras me kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida, dhe me presidentin e Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, dhe më pas liderët u takuan së bashku në margjinat e Samitit të Azisë Juglindore që u mbajt në Kamboxhia.

Takimi u përqendrua në përshkallëzimet e fundit të liderit verikorean, Kim Jong Un, edhe pse Biden tha se tre liderët po ashtu diskutuan për forcimin e zinxhirëve të furnizimit dhe për ruajtjen e paqes në Ngushticën e Tajvanit. Po ashtu, ai tha se tri shtetet kanë ofruar mbështetje për Ukrainën, që po përballet me agresionin rus.

Biden po ashtu tha se ka kërkuar mendimin e dy bashkëbiseduesve të tij për qëndrimin e Kinës në rajonin e Paqësorit, para se të takohet me presidentin kinez, Xi Jinping, në kuadër të samitit të G20-s që mbahet në Indonezi.

“Ne përballemi me sfida reale, por shtetet tona janë më të bashkuara se kurrë, më të përgatitura se kurrë për t’iu bërë ballë këtyre sfidave”, tha Biden dhe shtoi se mirëpret thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes tri shteteve.

Si Yoon ashtu edhe Kishida thanë se biseduan për shfaqjet e agresionit nga Koreja e Veriut, shtet që ka lëshuar dhjetëra raketa në javët e fundit. Në mesin e testimeve përfshihet edhe lëshimi i një rakete balistike ndërkontinentale, që bëri Japoninë të lëshonte alarmet e evakuimit, teksa aleatët kanë paralajmëruar se Veriu mund të jetë duke u bërë gati që në javët në vijim të kryejë testin e shtatë bërthamor.

Këshilltari për Siguri Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha një ditë më parë se takimi i Bidenit me liderët e Japonisë dhe Koresë së Jugut, ka për qëllim forcimin e përgjigjes së përbashkët të tri shteteve ndaj kërcënimit që vjen nga Koreja e Veriut.

Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur muajt e fundit, me Veriun që vazhdon të shfaqë armët e tij dhe me SHBA-në dhe Korenë e Jugut që kanë intensifikuar ushtrimet e përbashkëta të mbrojtjes. Më herët gjatë këtij muaji, ushtria jugkoreane tha se dy bombardues B-1B dhe katër avionë luftarakë amerikanë F-16, si dhe katër avionë jugkorean F-35 kryen stërvitje të përbashkëta ushtarake. Kjo ishte hera e parë që nga viti 2017, që bombarduesit u dislokuan në Gadishullin Korean. Në këto stërvitje u përfshin edhe 240 avionë të tjetër luftarakë nga të dyja shtetet.

Koreja e Veriut iu përgjigj këtyre stërvitjeve duke shfaqur forcën përmes fluturimit të një numri të madh të avionëve luftarakë brenda territorit të saj./REL