Nuk ka ndryshim kufijsh
Shefi i Misionit Civil Ndërkombëtar (ICO) në Prishtinë, Pieter Feith deklaroi se problemi i barrikadave në veri të Kosovës duhet të zgjidhet me rrugë paqësore, duke theksuar se do të ishte e dëshirueshme që situata të kthehet në normale sa më parë të jetë e mundshme.

“Njerëzit nga veriu i Kosovës nuk duhet të kriminalizohen,as të konsiderohen pjesë e një skene kriminale”, theksoi Feith në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve FoNet, dhe precizoi se “90 për qind, ndoshta edhe më shumë se kaq, janë qytetarë që respektojnë ligjin”.

“Ata duan që e gjithë kjo të zgjidhet, të lëvizin lirshëm dhe të jenë pjesë e ardhmërisë evropiane”, tha Feith, por tregoi edhe për lidhjet e “organizatave kriminale serbe e shqiptare, gjë që duhet eliminuar”.

Për këtë arsye, ai si dimension të rëndësishëm të situatës në veri të Kosovës e vlerësoi “rendin, ligjin, kthimin e lirisë së lëvizjes dhe forcimin e sundimit të ligjit, gjë që është përgjegjësi e KFOR-it dhe EULEX-it”.

Por, duhet të ekzistojë edhe komunikimi ndërmjet veriut dhe shqiptarëve të Kosovës, ngase, si ceku Feith, “të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare pajtohemi që veriu duhet të mbetet përbrenda Kosovës”.

Po ashtu ai u deklarua kundër ruajtjes së konfliktit të ngrirë, kurse nënvizoi se “për BE-në Kosova është territor unik doganor dhe një tërësi”.

Feith u angazhua edhe për shpërbërjen e strukturave paralele në Kosovë. Ai përkujtoi deklaratën e kancelares gjermane Angela Merkel për nevojën e çmontimit të strukturave paralele dhe vlerësoi se mbase “në këtë drejtim duhet bërë më shumë nga ana e Serbisë”.

Pos tjerash, kreu i ICO-s, përsëriti se bashkësia ndërkombëtare nuk do të pranojë kurrfarë ndryshimesh të kufijve, duke shtuar se situata në Ballkan është stabilizuar gjeografikisht.

“Përpjekjet që shkojnë në këtë drejtim paraqesin vetëm humbje kohe”, përfundoi Pieter Feith.

Shtuar më 07/11/2011, ora 14:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori