Nuk ka liberalizim pa luftuar korrupsionin
Kryeministri Ramush Haradinaj në takimin me ambasadorin gjerman, Christian Heldt, potencoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave. Ai theksoi se sipas statistikave të fundit për migrimin, Kosova nuk përbënë rrezik të migrimit.

Këto deklarata i ka kundërshtuar Lëvizja Vetëvendosje.

Fitore Pacolli nga LVV, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se Kosova, sot nuk ka liberalizim të vizave për shkak të Qeverisë së korruptuar.

“Nuk mundet një Kryeministër të cilit çdo ditë i dalin skandale e punësime familjare e partiake në administratën shtetërore ta bind asnjë Ambasador për asnjë gjë. Pse sot nuk kemi liberalizim të vizave dhe migrim të të rinjve është se kemi qeveri të korruptuar që punon vetëm për veti dhe familjaret e tyre”, ka thënë ajo.

Pacolli ka theksuar se liberalizimi i vizave mund të ndodhë kur të luftohet korrupsioni.

“Në këtë vend ka shpresë, dhe liberalizimi i vizave e zhvillimi ekonomik ndodh vetëm kur të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni. E këtë mund ta bëjë vetëm qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila punon për zhvillimin e këtij vendi, ku të rinjët nuk do të kenë më arsye të migrojn”, ka theksuar ajo.

Ndërsa, Demush Shasha nga Instituti Epik, ka thënë se Qëndrimi i Parlamentit Evropian pro nisjes së negociatave mes Parlamentit, Këshillit të BE-së dhe Komisionit Evropian për të siguruar lëvizje të lirë për qytetarët e Kosovës, u ri-konfirmua më 28 mars 2019.

Shasha në një prononcim për Telegrafin, theksoi se Kosova është me një situatë ku dy institucionet e BE-së: Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian vlerësojnë që Kosova ka përmbushur gjithë kriteret për liberalizimin e vizave, ndërsa vendet anëtare të BE-së apo Këshilli i BE-së nuk është duke e ndarë vlerësimin e njëjtë.

“Skepticizmi i shfaqur nga Këshilli i BE-së bazohet në mungesën e rezultateve të Kosovës në kuadër luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në raportin final vlerësues të Komisionit Evropian të korrikut 2018 është nënvizuar rëndësia për të vazhduar me progresin në kuadër të gjitha 95 kritereve, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe se Komisioni do të monitoroj në vazhdimësi këtë proces. Përveç kësaj, vitin e kaluar Kosova ka shënuar hapat mbrapa në sundimin e ligjit, kemi pas rast të shkeljes se vetë Kushtetueses së vendit, konventave ndërkombëtare dhe ligjeve pozitive te Republikës se Kosovës”, ka theksuar ai.

Ai theksoi se është përdorur një gjuhë kërcënuese ndaj sistemit prokurorial, siç tha ai duke cenuar rëndë pavarësinë e sistemit të.

“Kemi parë mesazhe të qarta të Ambasadorëve të shteteve mike të Kosovës rreth nivelit të lartë të korrupsionit në Kosovë dhe rëndësisë të progresit në këtë fushë. I gjithë ky regres në fushën e sundimit të ligjit është element shtesë që ka thelluar skepticizmin e vendeve anëtare, dhe ka bllokuar procesin e liberalizimit të vizave. Tani sa i përket vitit 2019, konsideroj se institucionet e Kosovës nuk duhet të përmendin datat rreth çështjes së liberalizimit të vizave, dhe në vend të kësaj duhet të fokusohen në vazhdimin e përmbushjes së të gjitha 95 kritereve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Me theks të veçantë në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, ku dy vite pas kërkesës së Komisionit Evropian, ne ende s’kemi asnjë aktgjykim dënues të profilit të lartë”, ka theksuar ai.

Sipas tij nëse Kosova shënon progres të shtuar në këtë drejtim, procesi i liberalizimit të vizave mund të kthehet në agjendën e institucioneve të BE-së.

“Progresi do të nënkuptonte ndalimin e presionit politik mbi sistemin e drejtësisë dhe garantimin e një mjedisi pozitiv, transparent dhe kredibil të sistemit drejtësisë, i cili bazohet në punën e njerëzve profesionist, apolitik dhe me integritet publik.

Një qasje e tillë do të kthente besimin në sistemin e drejtësisë i cili është lënduar rëndë kohëve të fundit. Së dyti, sistemi i drejtësisë duhet të tregoj rezultatet konkrete në trajtimin e suksesshëm të rasteve të profilit të lartë të korrupsionit. Kemi parë mesazhe të qarta të Ambasadorëve të shteteve mike të Kosovës rreth nivelit të lartë të korrupsionit në Kosovë dhe rëndësisë të progresit në këtë fushë. Një qasje e tillë serioze mund të jetë levë e presionit pozitiv që Kosova mund t’i bëjë vendeve anëtare që të dëshmoj se ka arritur të jetë storie e suksesit dhe meriton të jetë pjesë e zonës Shengen”, është shprehur ai.

Ndërkaq në fund të muajit mars, Parlamenti Evropian ka votuar pro vazhdimit të mandatit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Shtuar më 04/04/2019, ora 10:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori