Përdorën rrjetet sociale të bashkive për fushatë, gjobiten dy kryebashkiakët socialistë

Kryebashkiakët e Kamzës dhe të Vorës janë gjobitur me nga 100 mijë lekë nga Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, KAS.

Dy kryebashkiakët socialist, Rakip Suli i Kamzës dhe Blerim Shera i Vorës, në mënyrë të përsëritur kanë përdorur faqen zyrtare të bashkive në Facebook për shpërndarje të fushatës së tyre elektorale.

Kodi Zgjedhor ndalon përdorimin e burimeve publike për fushatë partiake të kandidatëve.

Ishte organizata KRIIK ajo që gjatë fushatës zgjedhore denoncoi Sulin e Sherën se kishin lejuar postime me përmbajtje partiake në faqet zyrtare të bashkive që drejtonin. Denoncimi lidhej konkretisht me përdorimin e hashtagëve me sloganin e fushatës së Partisë Socialiste #vetemperpara dhe #kurremembrapa.

KAS e mori vendimin disa ditë pas zgjedhjeve të 14 majit, teksa dy kryebashkiakët janë konfirmuar në detyrë.

KAS ka vendosur dhjetra masa administrative për të njëjtën shkelje, por pa mundur ta ndalojë këtë fenomen.

Organizatat e monitorimit të zgjedhjeve konstatuan se kryebashkiakët socialistë që drejtonin pothuaj gjithë bashkitë e vendit që nga zgjedhjet 2019-ës përdorën gjerësisht faqet në Facebook të bashkive apo institucioneve në varësi për të reklamuar veten e tyre si kandidatë për zgjedhjet vendore.

Për të njëjtat motive u denoncuan dhe u gjobitën edhe zyrtarë të ministrive apo institucione të tjera, ndërsa KAS “amnistoi” rastet kur deputetë dhe ministra bënë fushatë politike gjatë aktiviteteve publike të bashkive.

Një urdhër i Komisionerit Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirian Celibashi, për fshirjen e të gjitha postimeve me përmbajtje politike nga faqet e Facebookut të të gjithë institucioneve qendrore e vendore, nuk u zbatua në përgjithësi.

 


Shtuar 18.05.2023 19:11