Nuk duam të hapet pakoja e Ahtisaarit
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, deklaroi se vendi i tij përkrah vazhdimin e dialogut teknik me Serbinë, por nuk e mbështet idenë që të hapet Pakoja e Ahtisaarit. Ai këto deklarata i bëri për gazetën “Zëri” pas një vizite që bashkë me ambasadorin britanik në Beograd, Michael Devendport, i bënë Kuvendit të Vushtrrisë.

“Së pari sa i përket dialogut teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ne mendojmë se ai dialog është shumë i rëndësishëm dhe duhet të vazhdojë. Ne mendojmë se ky dialog ka dhënë rezultate dhe se njëri prej tyre është njohja e vulave doganore të cilat u ndihmojnë shumë kompanive prodhuese në Kosovë, e po ashtu rezultat tjetër është liria e lëvizjes”, ka thënë shefi i diplomacisë britanike në Prishtinë.

Madje Cliff thotë se Qeveria britanike mendon se ka potenciale që të bëhen marrëveshje tjera. “Ne jemi shumë të interesuar se si do të implementohet marrëveshja për integrimin e kufijve dhe gjithashtu çështja e pjesëmarrjes së Kosovës në nivelin rajonal”, ka thënë ai.

Ndërkaq i pyetur lidhur me qëndrimin e Britanisë së Madhe lidhur me katër pikat e kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq, shefi i diplomacisë britanike në Prishtinë thotë se Britania nuk dëshiron, siç shprehet ai, ta turbullojë ujin dhe të hapen tema tjera në dialogun Prishtinë- Beograd.

“Britania nuk dëshiron që pakoja e Ahtisaarit të hapet dhe të përfshijë pikat tjera. Absolutisht ne nuk dëshirojmë që ta turbullojmë ujin dhe të shtojmë tema tjera në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, i cili është vetëm teknik”, ka thënë ambasadori britanik Cliff gjatë qëndrimit në Vushtrri.
Shtuar më 20/01/2012, ora 09:28
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori