Njohja e fundit për Kosovën nga
Santa Lucia, ka nxjerrë në sipërfaqe përçarjet brenda koalicionit qeverisës. Më saktësisht “lufta” që po zhvillohet ndërmjet zëvendëskryeministrit Behgjet
Pacolli dhe ministrit të Jashtëm, Enver
Hoxhaj, për të marrë meritat për njohjet e arritura, ka shtuar zërat për fillimin e çarjes së koalicionit qeverisës ndërmjet PDKsë e AKR-së, shkruan gazeta Zëri.
Burime të gazetës të afërta me Qeverinë e Kosovës, bëjnë të ditur se pretendimi i Hoxhajt që ta “kontrabandojë” njohjen e fundit nga shteti i
Santa Lucias, ka shkaktuar paknaqësi të mëdha te i dyti i qeverisë, Behgjet
Pacolli, dhe te vetë partneri i koalicionit - AKR-ja.
Sipas këtij burimi, një veprim i tillë i Hoxhajt, nëse nuk mund ta sillte situatën deri te prishja e koalicionit, pa dyshim se ka shkaktuar pakënaqësi të shumta. “Me një fjalë, veprimet e papërgjegjshme të disa ministrave që vijnë nga PDK-ja, po japin sinjale se koalicioni po shkon drejt çarjes”, tha ky burim.
E tërë kjo situatë kishte ardhur pas lajmit për njohjen nga
Santa Lucia, që u prezantua të premten nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të
Jashtme (MPJ), gjatë një konference të jashtëzakonshme me medie.
Derisa gjithçka është parë si tendencë e MPJ-së për të treguar se “edhe ne jemi gjallë” dhe për të marrë meritat për njohjen nga
Santa Lucia, duke e prezantuar me nguti lajmin për njohjen më të re, nga kabineti i
Pacollit është thënë se njohja nga një shtet, anëtar i organizatës Karikom, ka ardhur pikërisht si meritë e zëvendëskryeministrit
Pacolli.
Këtë argument, “kampi i
Pacollit” e ka arsyetuar me paralajmërimin e
Pacollit se Kosova së shpejti do të njihet nga katërmbëdhjetë shtete afrikane, anëtare të Karikomit, të cilat, siç u patë thënë, ndonëse janë pajtuar që ta njohin Kosovën, këtë do ta bëjnë veç e veç.
Ndërkaq, pak më bindës ka qenë “kampi i Hoxhajt”. Sipas këshilltarit të Hoxhajt për medie, Artan Behrami, i cili ka publikuar lajmin gjatë konferencës me gazetarë, njohja nga
Santa Lucia është si rezultat i takimit të ministrit Enver
Hoxhaj me homologun e tij nga ky vend, Rufus Bousquet, kohë më parë në Nju Jork.
Fërkimet në mes të
Pacollit, që drejton Koalicionin për Kosovë të Re, dhe anëtarëve të PDK-së nuk fillojnë me Hoxhajn, pasi kohë më parë edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, kishte ndërmarrë një fushatë kundër
Pacollit nëpër ambasada të ndryshme ndërkombëtare.
Kjo përplasje kishte të bënte me projekt-propozimin për të nisur privatizimin e minierës “Trepça”. Por, në këtë situatë i kishte hasur “sharra në gozhdë”, meqenëse pas një intervenimi urgjent të
Pacollit, një gjë e tillë nuk ishte votuar në qeveri.
MPJ nën hijen e Pacollit
Sjellja e tri njohjeve të reja brenda dy ditëve nga zëvendëskryeministri
Pacolli duket se më shumë ka hidhëruar sesa që ka gëzuar drejtuesit e Ministrisë së Punëve të
Jashtme.
Analisti Ardian Arifaj thotë se fakti që ministri i Jashtëm, Enver
Hoxhaj, nuk ka arritur prej se është bërë ministër të sjellë një njohje të vetme, dhe
Pacolli po i sjell edhe nga dy brenda ditës, krijon një ndjenjë të pakëndshme për MPJ-në.
“Ministria e Punëve të
Jashtme po duket se ka mbetur nën hijen e
Pacollit. Po duket se flamurin për njohjet e ka zëvendëskryeministri
Pacolli e jo ministri i Jashtëm, me plot të drejtë mund ta themi këtë”, shprehet Arifaj.
Sipas tij, është shumë e vërtetë që
Pacolli dhe
Hoxhaj janë duke e shikuar njëri-tjetrin si rivalë në politikën e
jashtme, por ai thekson se kjo nuk do të ndikojë që të prishet bashkëqeverisja.
“Por, për qytetarin pak ka rëndësi se nga vijnë njohjet, edhe prej kujt vijnë. E rëndësishme është që të vijnë”, shprehet ai.
Pas “skandalit” të MPJ-së me njohjen nga
Santa Lucia, zyrtarët e këtij dikasteri të dielën kanë preferuar të heshtin, duke i ikur secilit kontakt me gazetarë.
Megjithëkëtë, vetëm tri ditë më parë zëvendësministri i Jashtëm, Ibrahim Gashi, ka mohuar se Ministria e Punëve të
Jashtme ka ngelur nën hijen e aktivitetit të shtuar të zëvendëskryeministrit
Pacolli.
Gashi ka thënë se zëvendëskryeministri
Pacolli është në koordinim të plotë me kryeministrin Hashim Thaçi, dhe me ministrin e Jashtëm,
Hoxhaj, meqenëse, sipas tij, të gjithë së bashku po punojnë për të njëjtin qëllim – shtimin e njohjeve.
Koalicionin e shpëton Thaçi
Pavarësisht nga rivaliteti në mes të
Pacollit dhe zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të
Jashtme, analistët politikë nuk parashohin rrezik për rënien e koalicionit qeverisës.
Analisti Behxhet Shala thotë se kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, është në gjendje të sakrifikojë ministrin
Hoxhaj, me kusht që të mbajë në këmbë koalicionin me partinë e zëvendëskryeministrit, Behgjet
Pacolli.
“Nuk mund të ketë ndarje sepse Hashim Thaçi personin më të afërt e ka Pacollin. Fundi i fundit, Thaçi e di që
Pacolli po e mban në këmbë qeverinë. Nëse është në pyetje koalicioni, për Thaçin më e pranueshme është që të shkojë Enver
Hoxhaj, sesa të bjerë koalicioni”, thotë Shala.
Ai thotë se nga tërë kjo situatë e krijuar me njohjet e fundit, është vërejtur se në Qeverinë e Kosovës ekziston një sistem paralel i lobimit, ndërsa, sipas tij, Ministrinë e vërtetë të
Jashtme e drejton Behgjet
Pacolli dhe ekipi i tij.
Ndërkohë, burime brenda Qeverisë së Kosovës, i kanë thënë “Zërit” se njohja nga
Santa Lucia është pikërisht meritë e
Pacollit, dhe se paraqitja para opinionit me prezantimin për njohje të re ka qenë manipulim i MPJ-së.
Ndërsa, zyrtarët e kabinetit të
Pacollit të shtunën nuk e kanë precizuar se kush i ka meritat për njohjen nga
Santa Lucia, por ata kanë kujtuar se për të realizuar njohjet e vendeve, anëtare të Karikomit,
Pacolli është duke punuar me vite të tëra.
“Aktiviteti lobues i
Pacollit në vendet e Amerikës Qendrore nuk ka filluar këtë vit, pra kur ka marrë postin e zëvendëskryeministrit, por ky aktivitet ka filluar në kohën kur
Pacolli ishte kryetar i AKR-së”, ka thënë këshilltari për medie i
Pacollit, Jetlir Zymberaj.
Ai ka kujtuar se si në kohën kur AKR-ja ishte në opozitë,
Pacolli i kishte dërguar letër ish-ministrit të Jashtëm, Skender Hyseni, ish-presidentit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi, nga të cilët kishte kërkuar takime për koordinime në raport me lobimin te shtetet e Karaibeve, dhe gjithashtu iu kishte kërkuar atyre që t’i vizitojnë këto vende, meqenëse, nga një vizitë institucionale Kosova mund të përfitonte njohje nga të gjitha këto vende, anëtare të organizatës Karikom.
Koalicioni është stabil
Këshilltari për medie i zëvendëskryeministrit Behgjet
Pacolli, Jetlir Zymberaj, thotë se pavarësisht nga situata e fundit, koalicioni qeverisës nuk do të rrezikohet të bjerë.
“Absolutisht kjo (meritat për njohje) nuk e rrezikon koalicionin. Kosova në këto vitet e fundit asnjëherë nuk ka pasur qeveri më efektive. Qeveria e Kosovës sot funksionon në të gjitha aspektet, si në rrafshin e brendshëm, gjithashtu edhe në rrafshin e afirmimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thotë Zymberaj. /jeton llapashtica, zëri/
Shtuar më 21/08/2011,
ora 14:38