Njohja e Kosovës, vazhdon të pengohet nga Serbia
Procesi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës, vazhdon të pengohet nga Serbia. Një vlerësim i tillë ka dalë nga konferenca ndërkombëtare në Prishtinë, në të cilën morën pjesë ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare nga universitete të njohura të Evropës. Temë e kësaj conference ishte ‘konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe sfidat e saj’.

Profesori i univestitetit të Oxfordit, Richard Caplan tha se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë edhe më tutje do të shkaktojë probleme tek shtetet tjera për të ndërmarrë një hap të tillë. “Kjo edhe mbetet sfida kryesore në procesin e shtet-ndërtimit të Kosovës”, vlerësoi ai.

"Përderisa Serbia refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës shumë shtete do të vazhdojnë të mos e njohin. Çka e bën Kosovën të jashtëzakonshme është se asnjë shtet nuk e ka pasur një gjendje kaq të gjatë të njohjes së pjesërishme. Sidoqoftë, Kosova është një rast unik. Një prej pasojave të njohjes së pjesërishme është se Kosova është anëtare e shumë pak organizatave ndërkombëtare, qoftë për shkak se Serbia është në asi pozite që ta bllokojë qoftë për shkak të mungesës së një konsensusi brenda atyre organizatave", tha profesori i Oxfordit, shkruan Kosovainfo.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, i cili tha se Kosova e ka forcuar pozicionin e saj ndërkombëtar. Ai tha se puna e Pacollit, Hoxhaj dhe Qeverisë së Kosovës ka sjellë në rritjen e numrit kualitativ të njohjeve. “Edhe në aspektin multilateral Kosova i ka zënë hapat e njohjes duke marrë pjesë në nisma të ndryshme”, tha ai.

Ndërkohë. si rekomandime për institucionet e Kosovës në procesin e njohjeve dolën sundimi i ligjit, lobim më aktiv, mbështetje e miqve ndërkombëtarë dhe shfrytëzimi i mundësive për pjesëmarrje në tryeza të ndryshme ndërkombëtare.
Shtuar më 17/03/2012, ora 20:09

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori