"Njohja e Kosovës nga Vatikani, rëndësi të veçantë"
Pëlqej
Presidentja Atifete Jahjaga u takua sot në New York me Sekretarin për marrëdhëniet me jashtë në Vatikan kardinalin Pietro Paroli. Ajo e vlerësoi lart vizitën e Papa Francesku në Shqipëri dhe porositë e tij për paqen dhe mirëkuptimin ndërmjet njerëzve. Ajo tha se kjo vizitë është një simbolikë e rëndësishme edhe për të gjitha vendet e rajonit të Evropës Juglindore dhe për raportet fqinjësore të tyre.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova, që prej shpalljes së pavarësisë së saj më 2008, është shndërruar në një faktor të rëndësishëm të paqes dhe të stabilitetit si dhe promovuese e fqinjësise së mirë. Ajo u shpreh se Kosova është e ndërtuar mbi parimin qytetar dhe vlera më e madhe e saj është toleranca fetare e kultivuar ndër shekuj.

Jahjaga tha se trashëgimia kulturore e fetare e Kosovës është pasuri e madhe e vendit nën përkujdesjen e institucioneve dhe të vetë qytetarëve të Kosovës. Duke vlerësuar procesin e konsolidimit ndërkombëtar të vendit, Presidentja Jahjaga i tha kardinalit se Kosova sot është e pranuar nga 108 vende të botës dhe se pranimi nga Vatikani do të kishte një rëndësi të veçantë.

Sekretari për marrëdhënie me jashtë i Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin u interesua për zhvillimet aktuale në Kosovë, për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe për perspektivën evropiane të Kosovës dhe gjithë rajonit.

Ai tha se Vatikani po i përcjell me kujdes zhvillimet në Kosovë dhe përparimet në raportet në rajonin e Ballkanit. /albeu.com/
Shtuar më 27/09/2014, ora 16:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori