Një javë pas dorëheqjes së Sefajt, ende s’ka emër për ministër të Brendshëm
Shkarkimi i Flamur Sefajt nga pozita e ministrit të Brendshëm, e ka lënë këtë institucion pa lider. Përkundër se po bëhen një javë që nga Sefaj u largua zyrtarisht nga posti i tij, ende nuk ka ndonjë emër që do ta zëvendësojë.

Diskutimet për emrin e ri të ministrit të Brendshëm pritet të intesifikohen nga nesër.

Të paktën kështu ka thënë Vesel Makolli, sekretari i AKR-së.

Makolli ka thënë për lajmi.net se deri më tani nuk ka pasur diçka konkrete. Kjo për shkak të fundjavës, dhe ditët e festave.

“Pacolli ka ardhu të premten, dhe është marrë me punët e tij pasi është ministër i jashtëm. Ka qenë një vikend më i zgjatur për shkak të festave, dhe nuk ka pasur diçka konkrete. Prej nesër mund të ketë diçka”, ka thënë Makolli.

Ditë më parë zëdhënësja e qeverisë, Donjeta Gashi kishte thënë për lajmi.net se deri të caktohet ministri i ri, punët do t’i kryejë zv/ministri.

Ajo kishte thënë se caktimi i emrit të ri për ministër të brendshëm është në dorën e partnerëve të koalicionit.

“Sa i përket Ministrisë së Punëve të Brendshme është çështje për të cilën partnerët e koalicionit vendosin dhe derisa të vendosin, këtë funksion e kryen zëvendësministri”, ka thënë Gashi.

Shkarkimi i Flamur Sefajt nga ministri i Brendshëm kishte ardhur pas deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova.

Veç Sefajt, ishte shkarkuar edhe shefi i AKI-së, Driton Gashi. /albeu.com/
Shtuar më 09/04/2018, ora 19:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori