Një iranian me emrin Isa Mustafa
Një mori të shara dhe ankesa në gjermanisht janë thënë nga ajo që dyshohet se është vajza e një iraniani me emrin identik me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, kur është kontaktuar për t’u pyetur nëse ka ndonjë lidhje me ish-ministrin e Financave të Kosovës në ekzil.

“Scheiße (m….) Kosovo, çka është kjo punë m…. kështu. Çka ka te ne që thirrni kaq shumë, ku e keni marrë këtë numër. Sot nuk më keni lënë të qetë fare”, i ka thënë “Zërit” duke bërtitur iraniania dhe më pas e ka mbyllur telefonin.

Ajo është zemëruar nga numri i madh i telefonatave bërë nga gazetarët kosovarë, të cilët i kanë thirrur ata në numrin e shtëpisë me bindjen se ky telefon i takon një prone që është blerë nga kreu i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, me para të fondit të “trepërqindëshit”.

Një ditë më parë, ish-kreu i LDK-së për degën e SHBA-ve, Musa Daka, iu kishte deklaruar disa medieve kosovare se ai ka fakte se një pronë në një lagje të qytetit gjerman të Shtutgartit, në landin e Baden Wurttembergut, është blerë vite më parë nga qeveria në ekzil, ndërsa më vonë ajo i kishte kaluar në pronësi Isa Mustafës.

Daka ka bërë këto akuza pak ditë pasi është larguar nga kreu i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Amerikë, dhe vetëm një ditë para se të udhëtonte drejt SHBA-ve.

Kontakti me të përmes telefonit ka qenë i pamundur. Ai kishte prezantuar një dokument me adresën e një shtëpie në Gjermani, në të cilën shihej qartë emri “Isa Mustafa”.

“Zëri” ka marrë vesh nga burime të veta që kanë kontaktuar drejtpërdrejtë me familjen e Isa Mustafës në Gjermani se fjala është për një familje me origjinë nga Irani, ndërsa kryefamiljari me emrin e njëjtë me kreun e LDK-së, ka vdekur para 10 vjetëve. Në pronën në fjalë tani jetojnë bashkëshortja e tij me vajzën, ndërsa objekti është ndërtesë e vjetër banimi.

Vajza e iranianit Isa Mustafa, gjithmonë sipas burimeve të “Zërit”, në Stuttgard po sheh mundësitë e padisë për shqetësim të shkaktuar nga telefonatat e shumta dhe publikimin e fotografisë së shtëpisë në mediat e Kosovës.
Shtuar më 22/03/2012, ora 09:33

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori