Nisma për Kosovën, prova për skandalin në Kuvend
Nisma për Kosovën konsideron që në seancën e 14 dhjetorit të vitit të kaluar në Kuvendin e Kosovës, janë bërë shkelje gjatë miratimit të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, ku nga 5 amendamentet e propozuara nga Komisioni për Buxhet dhe Financa nuk është votuar amendamenti numër dy.

Por, edhe përkundër kësaj Nisma tha se, Kuvendi e ka miratuar ligjin me amendamentin e pavotuar në Kuvendin e Kosovës, i cili futet në nenin katër të Ligjit për plotësim-ndryshim të Ligjit 05/06.

Anëtari i Kryesisë së Nismës për Kosovën, Bajram Ajeti, ka paraqitur para mediave videot e bëra për miratimin e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, i cili këto shkelje në seancën e 14 dhjetorit në Kuvendin e Kosovës i quajti skandal.

“Mirëpo, çfarë ndodhi gjatë seancës kur erdhi çështja që të votohet, amendamentet një nga një atëherë amendament i dytë nuk kaloi, sepse fitoi vetëm 41 vota të deputetëve të cilët ishin prezentë. Për këtë janë siguruar edhe provat e para, është transkripti që në faqen e 88-të dhe 89-të shihet qartë se disa herë kur kërkohet nga kryetari i Kuvendit që të votojnë nuk u arrit që të votohet me shumicën e votave. Po ashtu, ndërlidhur si provë e fortë është edhe videoja të cilën ne i kemi marrë edhe minutat ku është çështja e votimit të këtij amendamenti”, tha Ajeti.

Për të gjitha këto shkelje Ajeti tha se përgjegjës është kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe administrata e cila këto ligje i dërgon në Presidencë për miratim.

Por e gjithë kjo, sipas Ajetit, ka qenë e qëllimshme dhe se deri te kjo ka ardhur për avancimin e klientëve, apo ithtarëve partiakë brenda departamenteve, qoftë atij të buxhetit qendror apo lokal.

Ai ka treguar se ka informacione se përfitues nga kjo ka qenë drejtori i departamentit qendror, i cili, sipas Ajetit, është avancuar me postin e drejtorit të përgjithshëm.

"Ne mendojmë që kjo paraqet realisht, një kapje të shtetit edhe të këtij pushteti, pa folur për pushtete të tjera, që janë ekzekutivi dhe gjyqësori, por edhe në Kuvend. Prandaj, për këtë arsye ne konsiderojmë që është një skandal të cilin nuk ka pasur përpjekje as të përmirësohet, por është bërë me qëllim", ka theksuar Ajeti.

Lidhur me këtë çështje, Ajeti tha, se i është drejtuar Institucionit të Avokatit të Popullit në mënyrë që ta dërgojë këtë shkelje në Gjykatën Kushtetuese dhe që të mos heshtë në këtë çështje. /albeu.com/
Shtuar më 13/03/2016, ora 09:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori