NISMA ia bën bajatë Kadri Veselit tryezën politike
Zyrtari i Nismës Socialdemokrate, Resul Sinani, i ka kritikuar tryezat e thirrura nga partitë politike. Ai thotë se këto tryeza janë formë primitive e organizimit dhe debatit politik në krahasim me debatin brenda institucioneve.

Siç thekson ai, ajo për të cilën ka nevojë vendi është konsensusi institucional, ku të gjithë i nënshtrohen dhe sillen sipas rolit kushtetues që kanë brenda parlamentit si pozita edhe opozita
Postimi i tij i plotë:

Nuk është kohë e konsensusit të tryezave, por kohë e konsensusit institucional!

Tryezat politike të ftuara nga partitë të cilat janë pjesë e institucioneve shtetërore, parlamentit dhe qeverisë, janë formë primitive e organizimit dhe debatit politik në krahasim me debatin brenda institucioneve, e sidomos debatit parlamentar, si institucioni më i lartë i vendit.

Tryezat e tilla i takojnë shoqërisë civile, partive joparlamentare dhe organizimeve tjera shoqërore, por janë të pakuptimta të thirren dhe të organizohen nga partitë parlamentare, duke shmangur kështu tempullin e debatit politik – Parlamentin, për t’u zhvendosur nëpër salla hotelesh!

Jemi në vitin 2018, me një histori tashmë më shumë se një dekadëshe institucionesh të pavarura shtetërore, e jo në kohën e ilegalitetit, apo të kohës para shpalljes së pavarësisë, prandaj çdo tendencë për të dalë jashtë institucioneve, nuk është e kohës dhe zhvlerëson institucionet shtetërore të cilat funksionojnë në bazë të përgjegjësive kushtetuese.

Pra, nuk është kohë e konsensusit të tryezave, sepse ato nuk prodhojnë asgjë dhe e tëra është vetëm humbje kohe e asgjë më shumë! Ajo për të cilën ka nevojë vendi është konsensusi institucional, ku të gjithë i nënshtrohen dhe sillen sipas rolit kushtetues që kanë: mbrenda parlamentit si pozita edhe opozita; brenda qeverisë të gjithë partnerey e koalicionit; e poashtu secili bartës instiotucional në harmoni me përgjegjësitë që ia jep kushtetuta./albeu.com/
Shtuar më 08/05/2018, ora 11:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori