Nisin zyrtarisht bisedimet Kosovë-Serbi
Prishtina
Kanë nisur zyrtarisht sot rreth orës 19:30, bisedimet mes Prishtinës e Beogradit në Bruksel. Mësohet se takimi mes palëve po zhvillohet me dyer të mbyllura në zyrën e ndërmjetësit të BE-së, Robert Cooper.

Tre vjet pas shpalljes së pavarësisë Prishtina nisi sot pasdite bisedimet direkte me Beogradin. Bisedimet zhvillohen në Bruksel dhe etapa e parë do të zgjasë dy ditë bën të ditur Bashkimi Europian, informon Associated Press.

Me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të BE-së, Robert Cooper, bisedimet do të përqendrohen në problemet praktike, siç janë kontrolli i kufijve dhe dokumentet personale, ndërkaq çështjet politike do të shmangen.

Delegacioni i Prishtinës shkon në takim pa miratimin e Parlamentit të Kosovës, i cili shtyu për të enjten debatin për një rezolutë në mbështetje të bisedimeve me Serbinë.

Delegacionin e Prishtinës e kryeson nënkryetarja e qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, kurse atë serb drejtori politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, Boris Stefanoviç. Ky i fundit një ditë më parë tha se do të jetë një proces i vështirë me ulje ngritje, por personalisht beson se duke qenë se pala kosovare përfaqësohet nga një negociatore me eksperience dhe njohuri, Prishtina do të jetë e aftë të zbatoje cdo marrëveshje që mund të arrihet.
Shtuar më 08/03/2011, ora 19:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori